Report Tv ka siguruar dosjen hetimore mbi shpërthimin e fuqishëm në Lushnje në 1 mars pranë magazinës në ndërtim ku për pasojë humbën jetën 2 persona dhe u plagosën shtatë të tjerë, mes tyre edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela.
Në dosje nisur nga hetimet paraprake shpjegohet dhe shkaku i shpërthimit. Sipas ekspertëve të policisë së Lushnjës ka dalë në përfundim se shpërthimi në kapanonin në pronësi të deputetit të Partisë Socialiste, Bujar Çela në lagjen e “Karbunarë e madhe”, ka ndodhur për shkak të një avarie në punë.
“Nga hetimet e kryera dhe nga konkluzionet paraprake të ekspertëve dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një avari që ka ndodhur gjatë procesit të punës që kryente viktima Roland Hoxha për prerjen dhe çmontimin e disa profileve të hekurit duke përdorur flakën me nxehtësi të lartë që prodhohet nga djegia dhe përzierja e oksigjenit me Acetilenin. Kjo avari ka bërë që një nga bombolat e cila dyshohet të këtë qenë më përmbajtje gazi acetilen ka shpërthyer duke shkaktuar dhe dëmet me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve, plagosjen e shtate të tjerëve dhe dëmtimin e objektit, banesave dhe e bizneseve përreth”.
Subjekti që ka kryer punime rezulton se ka tejkaluar lejen e ndërtimit të dhënë nga bashkia Lushnjë.
“Nisuar nga hetimet paraprake të kryera nën drejtimin e Prokurorise Prane Gjykates së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Fier ka rezultuar se për objektin ku ka ndodhur shpërthimi, nga Bashkia Lushnje, në muajin shtator 2023 është miratuar leja ndërtimore për objekt 1 kat për tregtimin dhe magazinimin e materialeve te ndryshme në emër te shtetasit Bujar Çela me afat 1 vjeçar, por që pas aktit të konstatimit të datës 02.03,2024 nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit bashkia Lushnje ka rezultuar se subjekti që ka kryer punimet ne objekt ka tejkaluar lejen e ndërtimit të dhënë nga Bashkia Lushnje”, sqarohet më tej në dosje.
“Për sa më sipër nga tërësia e materialeve hetimore të deritanishme rezulton se jemi para veprave penale të Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë parashikuar nga neni 289/2 të Kodit penal, Shkatërrim i pronës nga pakujdesia të parashikuar nga neni 161 i K.penal dhe ndërtimit të paligjshëm të parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal.”
Sipas dosjes ambienti në pronësi të deputetit Çela shfrytëzohej edhe nga shtetasit, Shaqir Kasapi dhe Saimir Korreshi.
“Nga kqyrja vihet re se ne ambientin e perbashket ne anen veriperndimore gjendet magazine ne ndertim e siper e shtetasit Bujar Çela, po kete ane verilindore gjendet magazine ne përdorim nga shtetasi Shaqir Kasapi dhe ne anen veri-lindore gjendet magaizna ne perdorim nga shtetasi Saimir Korreshi,” thuhet në dosje.