Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka pranuar kërkesën e ish-efektivit të Gardës, Arbër Paplekaj, për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik në lidhje me vrasjen e ish-zyrtarit në Elbasan, Pjerin Xhuvani. Me vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka rihapur pjesërisht shqyrtimin gjyqësor ndaj Paplekajt.
Në të njëjtën kohë, Gjykata e Apelit ka vendosur të marrë informacion në lidhje me dy shtetasit që akuzohen për “Dëshmi të rreme” në gjykimin e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Elbasanit, si dhe të merret informacion mbi vijimin e procedimit penal për personat që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje.
Gjithashtu, do të kërkohet informacion për hetimet që po kryhen për identifikimin e personave të tjerë që kanë qëlluar në vendngjarje.
Gjykatës e Elbasanit e shpalli fajtor ish-efektivin e repartit RENEA, Arbër Paplekaj, dhe e dënoi atë me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.