Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama me dënimin e Belerit dëshmoi se pavarësisht kë votojnë nuk marrin atë që duan


Kreu i PD-së të Rithemelimit, Sali Berisha nga ballkoni i shtëpisë ku qëndron në arrest shtëpie, komentoi vendimin e gjykatës së posaçme dënimin me dy vite burg të fituesit të Bashkisë së Himarës në vitin 2023.

Berisha tha se Beleri u dënua nga Edi Rama dhe kryeministri faktoi se pavarësisht se çfarë votojnë shqiptarët kur nuk do kenë atë që duan.

“Çdo orë, ditë që kalon dëshmon se sa jetike, vendimtare është për fatin, për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, beteja pa kthim për përmbysjen e regjimit, e narko regjimit të bazuar në aleancën e pushtetit me organizatat kriminale, me korrupsionin dhe vjedhjen e shqiptarëve, me drogën.

Çdo ditë regjimi tregon fytyrën e tij të shëmtuar. Nuk ndalet në krimet e tij nga asgjë.

Sot ai dëshmoi para shqiptarëve me dënimin e kryetarit të zgjedhur me votën e qytetarëve të Himarës, Fredi Belerit, me dënimin pa asnjë shkak, pa asnjë faj, me dënimin mbi bazën e një dosje të stisur si në kohërat më të zeza të sigurimit të shtetit.

Me dënimin e tij, Edi Rama, miqtë e mi, ju faktoi shqiptarëve se pavarësisht se si ju do të votoni, kurrë nuk do të keni atë që doni me votën tuaj.

Ky përbën një akt flagrant të këtij armiku të egër të votës së lirë të shqiptarëve.

Të dënosh me një proces farsë, një qeveritar të zgjedhur vendor, do të thotë se nuk pranon vullnetin e qytetarëve se dhe drejtësinë e ke shndërruar në një vegël të verbër të pushtetit të krimit”-deklaroi Berisha.