Gazetari minoritar Panajot Barka është përballur me mosrinovimin e kontratës së tij me Agjencinë Shtetërore të Lajmeve të Greqisë (AMNA), duke nxitur reagime të forta në komunitetin e gazetarëve përtej kufirit.
Unioni i Gazetarëve të Athinës e ka cilësuar vendimin e AMNA-s si një abuzim, ndërsa Barka e quan një sulm të qëllimshëm politik.
Gazetarit në fjalë nuk i është rinovuar kontrata pas me shumë se 20 vitesh bashkëpunimi të vazhdueshëm me këtë agjenci.
Konkretisht në deklaratën në fjalë shkruhet: “Bordi Drejtues i Unionit të Gazetarëve të Athinës (ESIEA) dënon vendimin e drejtuesve të AGJENCISË SË LAJMEVE për të mos rinovuar kontratën e korrespondentit të AMNA-s në Gjirokastër Panagiotis Barkas, në mënyrë të padrejtë dhe abuzive, pas më shumë se 20 vitesh bashkëpunim.
Bordi Drejtues i ESIEA-s proteston fuqishëm dhe deklaron se do të qëndrojë në krah të kolegut në çdo veprim ligjor për të mbrojtur të drejtat e tij të punës”.
Top Channel raporton se gazetari Barka ka dërguar drejt shumë institucioneve mediatike, qeveritare dhe mediave e gazetarëve një letër ku përshkruan shkaqet e mosrinovimit të kontratës së tij me Agjencinë Shtetërore greke dhe kërkon solidaritet dhe reagim ndaj këtij veprimi që e quan të paligjshëm dhe të pajustifikuar, një tjetër aksion kundër etikës dhe funksionimit gazetaresk, kundër lirisë së fjalës dhe demokracisë.
Midis të tjerash ai thekson se bëhet fjalë për një sulm të gjithanshëm ndaj tij, që kërkon të frikësojë grekët në Shqipëri që të mos flasin, që ka qëllim ti mbyllë gojën së vërtetës dhe të heshtet ndaj gjithë përgjegjësive për atë që u bë kundër helenizmit në Shqipëri.
Barka thotë se vendimi është produkt i ndërhyrjes politike. “Qarqe të vorioepiriotëve me akses në partinë në pushtet dhe në disa ministra të qeverisë, kanë kërkuar shkarkimin tim nga agjencia -shkruan ai duke shtuar se – këto qarqe nuk ishin dakord me pikëpamjet e mia personale (jo me ato që publikoj tek lajmet e agjencisë) por për çështjet e helenizmit të Vorioepirit, dhe kryesisht të çështjes Beleris, ndaj më akuzuan se nuk ndjek politikën kombëtare”.
Barka ka njoftuar edhe kryeministrin grek, ministrin e Punëve të Jashtme dhe organet e tjera kompetente zyrtare duke kërkuar ndërhyrjen e tyre, por nuk ka marrë përgjigje.
“Është jo vetëm një qëndrim shpifës dhe përçmues ndaj një korrespodenti me bashkëpunim 28 vjet, por për më tepër ndaj të vetmit gazetari grek jashtë Greqisë në mediat publike, kundër një drejtuesi të Minoritetit Kombëtar Grek, themelues dhe deputet i OMONIAS, shkrimtar me aktivitet të pasur në favor të helenizmit, me qindra artikuj dhe prezantime në mediat shqiptare në favor të helenizmit”, shkruan Barka.