Vendosni fjalën kyçe....

Meta: 700 mijë pensionistë jetojnë në kushte kritike, nuk përballojnë dot trajtimin shëndetësor


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një deklaratë për mediat, deklaroi se Rilindja mashtroi pensionistët në mënyrë të pabesë.

Meta theksoi se qeveria shqiptare ka lënë në mëshirë të fatit 700 mijë pensionistë, duke shtuar se shumë prej tyre shkojnë jashtë shtetit për të marrë ilaçe, pasi shumë medikamente nuk gjenden në vendin tonë.

Meta tha se PL nuk do të ndalet në këtë kauzë, derisa pensionistët shqiptarë të trajtohen me dinjitet.

 

 

Fjala e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:

Çështja e jetës tepër sfidante të pensionistëve shqiptarë është tashmë një kryetemë për Partinë e Lirisë, e cila kë një program të qartë për t’u dhënë zgjidhjeve të gjitha aspekteve më kritike, me të cilat pensionistët shqiptarë ndeshen sot.

Një nga aspektet më kritike të rreth 700 mijë pensionistëve është kostoja e papërballueshme e ilaçeve dhe mungesa e trajtimit shëndetësor cilësor, të sigurtë dhe dinjitoz.

Kjo situatë tepër e rëndë po rrezikon seriozisht çdo ditë shëndetin dhe jetën e dhjetëra mijëra pensionistëve në qytet dhe fshat, jeta e të cilëve siç e dimë është e shoqëruar për shkak të moshës nga sëmundjet kronike, por edhe dhe shumë sëmundje të tjera, që u zbulohen për herë të parë. Kostot e barnave dhe shërbimeve të tjera shëndetësore, që nuk mbulohen nga shteti, janë krejtësisht të papërballueshme me pensionet qesharake, që ata marrin, të cilat zhvlerësohen çdo ditë.

Pensionistët shqiptarë në pjesën dërrmuese marrin pensione shumë më të ulëta se kufiri i varfërisë i përcaktuar nga Banka Boterore në 6.85 USD në ditë. Për një pensionist në qytet pensioni i pleqërisë është 6.4 USD në ditë, ndërsa pensioni i pleqërisë në zonat rurale është 3.8 USD në ditë ose sa gjysma e nivelit të varfërisë. Me këtë masë dramatike pensioni, një pensionist nuk mund të përballojë financiarisht ilaçet e domosdoshme që ju nevojiten për të kuruar sëmundjet serioze që shoqërojnë përditshmërinë e tyre.

Ndaj dhjetëra mijëra prej tyre shpesh sakrifikojnë shëndetin duke mos marrë barnat apo shërbimet më jetike shëndetësore. Është pakësuar në mënyrë të vazhdueshme Fondi I Rimbursimit, ndërkohë barra e trajtimit ka rënë mbi pensionistët dhe qytetarët, të cilët shpesh nuk I blejnë dot ilaçet nga varfëria në të cilën ndodhen.  Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së, ndërsa në 2024 vetëm 20.6%. Regresi ka është i pandalshëm. Edhe pse vetëm Pandemia COVID-19 ka lënë komplikacione në dhjetëra mijëra raste, pa llogaritur sëmundshmërinë e përgjithshme, gjendja e furnizimit me barna nga shteti për qytetarët dhe pensionistët në veçanti, vetëm është përkeqësuar dita-ditës.

Barna me cilësi shumë të ulët janë futur gjerësisht në farmacitë shqiptare, për qëllime spekullimi dhe korrupsioni, ndërkohë janë larguar masivisht kompanitë prestigjioze farmaceutike, që sillnin barna cilësore.

Më konkretisht, importet e barnave nga një vend jashtë Bashkimit Europian para vitit 2019  zinin vetëm 8% të importeve totale, vitin e kaluar zinin 17%, pra me një rritje prej më shumë se 200%. Ndërkohë që nga 13 përfaqësi të kompanive të njohura botërore farmaceutike që ishin në Shqipëri para shumë vitesh, tani kanë mbetur vetëm 3 prej tyre.

Për pensionistët trajtimi me ilaçe bashkëkohore dhe cilësore është absolutisht i pamundur për t’u përballuar financiarisht për shkak të pensioneve ekstremisht të ulta, që e detyrojnë këtë kategori kaq të përvuajtur të trajtohet ose me ilaçe me cilësi të ulët dhe Të pasigurt ose të mos kurohen fare.

Kurimi i dobët mjekësor dhe I pasigurt ka rritur ndjeshëm problemet sociale, ndërkohë komplikacionet e rënda  kanë rritur ndjeshëm kostot e trajtimit mjekësor në spitalet publike, të cilat nuk po përballojnë dot ngarkesën dhe trajtimin në kohë. Pra pensionistët jo vetëm nuk kanë mundësi financiare të ushqehen për shkak të rritjes galopante të çmimeve, por as të kurohen.

Shëndetësia falas ka qenë dhe mbetet një nga mashtrimet më të mëdha dhe të pabesa të “Rilindjes”. Pensionistët, ashtu si edhe të gjithë shqiptarët, paguajnë sot 60% nga xhepi për shëndetin më shumë se qytetarët e tjerë në Europë.  Madje OBSH përllogarit se në periudhën 2015-2021 shpenzimet e qytetarëve shqiptarë për shëndetësinë u rritën me 82%.

Është kjo arsyeja pse sot një pensionist në Korçë apo në Pogradec i ble sot ilaçet në Resnjë apo në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është kjo arsyeja pse një pensionist në Shkodër i ble ilaçet në Ulqin ose Tuz, pse një pensionist në Kukës i ple ilaçet në Prizren, apo pse një pensionist në Gjirokastër e Dropull i ble ilaçet në Janinë. Sepse janë shumë herë më lirë dhe padyshim shumë herë më cilësore dhe të sigurta se ato që tregëtohen në Shqipëri.

Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike tregojnë se barnat e reja që kanë një trend të lartë shitje në tregjet europiane dhe ato të rajonit ende nuk kanë hyrë në tregun spekulativ shqiptar. Sepse këtu ato kushtojnë shumë dhe nuk janë të përballueshme, pasi shteti nuk i rimburson.

Konkretisht në Shqipëri nuk janë të pranishme qindra ilaçe, përfshirë dhe ato që trajtojnë sëmundje autoimune, ndaj dhe pensionistët detyrohen t’i blejnë jashtë më lirë dhe më cilësore dhe të sigurta,ose mbeten pa kuruar. Në këtë situatë kaq kritike për shëndetin dhe jetën e pensionistëve, Partia e Lirise dhe grupi i saj i ekspertëve shëndetësorë kanë vënë dorën në plagë dhe propozojnë nisma plotësisht të realizueshme, në ndihmë të rreth 700 mijë pensionistëve në mbarë vendin, në qytet dhe fshat.

 

Konkretisht ne propozojmë:

     Mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore.

     Mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të gjithë pensionistët me probleme shëndetësore.

     Dhënien e shërbimit mjekësor me prioritet për pensionistët për evitimin e pritjeve të gjata në qendra shëndetësore apo spitale.

     Sigurimin e shërbimeve mjekësore pa pagesë për rehabilitimin dhe fizioterapinë për pensionistët me sëmundje invalidizuese.

     Sigurimin pa pagesë të materialeve mjekësore të trajtimit të pacientëve pensionistë në banesë, si dhe artikujve mjekësorë (paterica, karroca, shtretër ortopedikë), që mundësojnë lëvizjen dhe pavarësimin jetësor të pensionistëve.

     Zbatimin e detyruar të protokolleve të geriatrisë në qendrat shëndetësore për pacientët pensionistë.

Partia e Lirisë ka nisur një betejë pa kthim politike, parlamentare, ligjore dhe institucionale për të mbrojtur dhe rivendosur të gjitha të drejtat e pensionistëve, duke garantuar jo vetëm mirëqënien e tyre, por edhe përkujdesin e duhur shëndetësor, por edhe dinjitetin që ata meritojnë.