Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthimi në Lushnjë ku humbën jetën babë e bir, pranga sipërmarrësit të punimeve


Një 32-vjeçar është arrestuar lidhur me shpërthimin e fuqishëm në Lushnjë katër ditë më parë ku humbën jetën babë e bir.

I arrestuari është Leonard Gjini, sipërmarrësi që do kryente punimet në kapanonin ku ndodhi tragjedia. Nga shpërthimi humbën jetën Roland e Elidon Hoxha ndërsa u lënduan 7 persona të tjerë.

Deputeti socialist, Bujar Çela po kryente ndërtimin në magazinat në Lushnjë, ku ndodhi shpërthimi me 2 të vdekur e 7 të plagosur, në shkelje të lejes së ndërtimit. Dyshohet se institucionet në Lushnjë nuk ishin në dijeni për ndërtimin që po kryente deputeti i PS-së.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Lushnjë, Robert Kola ka dëshmuar në polici se nuk ka pasur dijeni nëse deputeti i PS Bujar Çela po ndërtonte apo kishte marrë leje ndërtimi, deri në momentin e shpërthimit kur ngjarja mori përmasa të mëdha.

Ai ka deklaruar se nuk ka pasur informacione nga urbanistika apo njësia administrative se aty po kryheshin punime.

Më tej ai ka shpjeguar se sistemi online i bashkisë nuk ka funksionuar dhe gjatë kësaj kohe nuk është bërë asnjë inspektim për objektin në fjalë që po ndërtohej.

Në referimin që dy oficerë të policisë gjyqësore kanë bërë në prokurorinë e Fierit, ata kanë eviidentuar se nisur nga hetimet paraprake ka rezultuar se për objektin ku ka ndodhur shpërthimi deputeti Çela kishin marrë një leje në shtator me afat një vit, por që pas aktit të konstatimit IVMT ka rezultuar se ai ka kryer punime ne objekt në tejkalim të lejes së ndërtimit të dhënë nga Bashkia Lushnje.

Nga dëshmitë e marrë rezulton se deputeti po e bënte magazinën në tokën e tij për të lëshuar dyqane me qira.

Njoftimi

“Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, për dokumentimin e rrethanave të shpërthimit të ndodhur në një kapanon në ndërtim, më datë 01.03.2024. Në vijim të këtyre veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit: Leonard  Gjini, 32 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda.

Si pasojë e shpëthimit në kapanonin me lëndë djegëse, në lagjen “Karbunarë e madhe”, më datë 01.03.2024, ndodhi një shpërthim nga i cili humbën jetën 2 shtetas dhe u dëmtuan 7 të tjerë të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.”