Një person ka humbur jetën si pasojë e zjarrit që shpërtheu në një banesë private në qendër të qytetit të Vlorës.
Një punonjës i shërbimit zjarrfikës tha se fillimisht u izoluan flakët dhe pastaj ata kanë hyrë në banesë nën dyshimin se dikush mund të ishte brenda.
Personi që humbi jetën u gjet në qendrën e flakëve, ndërsa lidhur me shkakun e dyshuar të zjarrit, ai tha se dyshohet se çdo gjë nisi nga një ngrohës.
“Shërbimi zjarrfikës mori njoftim për një zjarr në këtë banesë, e cila është shumë e vjetër. Menjëherë u vumë në dispozicion të ngjarjes me të gjitha forcat dhe mjetet. Kur erdhëm në vendin e ngjarjes konstatuam se zjarri kishte marrë përmasa të mëdha, pasi flakët kishin dalë mbi çati.
Me veprimet tona të shpejta bëmë të mundur fillimisht izolimin e flakëve dhe pastaj u futëm brenda sepse na thanë që ndodhej një person brenda banesës. U futëm brenda dhe konstatuam se persona ka ndërruar jetë pasi është ndodhur në mes të vatrës së zjarrit. Ndoshta ka qenë moshë e madhe dhe nuk ka pasur mundësi të dilte nga banesa. Besoj se shkak do ketë qenë përdorimi i ndonjë ngrohësje”, tha një punonjës i shërimit zjarrfikës.