Vendosni fjalën kyçe....

Hekurudha Tiranë-Durrës, gati tenderi për ndërtimin e stacioneve përgjatë linjës


Hekurudha Shqiptare (HSH) njoftoi këto ditë se tenderi për stacionet që do të ndërtohen përgjatë linjës së re mes Tiranës dhe Durrësit do të hapet gjatë marsit.

Në faqen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që është një nga institucionet financiare që po mbështet këtë projekt, u publikua njoftimi për këtë procedurë. Konkretisht sipas shpalljes që ka bërë HSH po kërkohen operatorë për të kryer punimet dhe konsulencë sipas kontratave që do të publikohen në vijim.

“Klienti i mësipërm (në këtë rast HSH) synon që të përdore një pjesë të kredisë/garantit administruar nga BERZH drejt Kostos së projektit të specifikuar.

Informacion shtesë mbi financimin: BERZH: 49.569 mln euro, BE dhe ËBIF 40.7 milionë euro, qeveria shqiptare 16.1 mln euro, Iniciativa Italiane për Europën Qendrore 0.5 mln euro dhe fondi special i aksionarëve të BERZH 0.4 mln euro.

Informacion mbi projektin, përshkrimi: Projekti ka një kosto totale të vlerësuar prej 90.3 mln euro dhe do të kërkojë prokurimin e të mirave, punimeve dhe shërbimeve të mëposhtme:

-Punimet për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e një lidhjeje të re hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza; – Shërbime Konsulence për Mbikëqyrjen e Punimeve; – Shërbime konsulence për tarifat e aksesit në gjurmë; – Kontratë Pune për ndërtimin e Stacioneve Hekurudhore përgjatë Hekurudhës së Tiranës Durrës. (Vlerësohet se do të publikohet në fillim të marsit 2024) Vlera totale e parashikuar e projektit 85.79 mln euro” thuhet në publikimin e bërë në faqen e BERZH.

Punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës kanë filluar në nëntor 2021 kur nisi edhe zhvendosja e shinave të vjetra. Kompania që po zbaton këtë projekt është INC spa, e cila u shpall fituese në vitin 2020, me një ofertë 69.7 milionë euro.

Linja e rikonstruktuar e Tiranë-Durrës do të kalojë mbi linjën e vjetër ndërkohë që shtesë do të jetë pjesa e Tiranë-Rinas, linjë hekurudhore totalisht e re. Sa i takon stacioneve nga Hekurudha Shqiptare është konfirmuar më herët se stacionet ekzistuese do të vijojnë të mbeten në të njëjtat vendndodhje, ndërsa stacionet e reja do të jenë në aksin e ri nga Domje në Aeroportin e Rinasit.

“Stacionet janë si më poshtë: Durrës – Shkozet – Sukth – Vorë – Kashar (rikonstruksion total i stacioneve ekzistuese), Universiteti Epoka/Laknas, Aeroporti i Tiranës dhe Terminali i Transportit Publik Tiranë (tërësisht të rinj) dhe zona pranë Spitalit Hygeia është stacioni i fundit i projektit në zbatim e sipër.

Stacioni i 9-të dhe i 10-të janë parashikuar dhe projektuar të ndërtohen në kontratën e segmentit shtesë nga Terminali i Transportit Publik Tiranë (PTT) deri te Bulevardi i Ri. Konkretisht, në zonën e Spitalit Ushtarak dhe në Bulevardin e Ri. Po mendohet të shtohet edhe një stacion i 11-të në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja” – Bulevardi i Ri” do të konfirmonte në një intervistë për “Monitor” Gentian Liko, administrator i Hekurudha Shqiptare./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor