Udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell njoftoi të mërkurën mbështetjen për ish Presidentin Donald Trump si kandidat të Partisë Republikane për president, një kthesë madhore nga qëndrimi i dikurshëm kur ai fajësoi zotin Trump duke thënë se veprimet e tij më 6 janar ishin “të turpshme”. Senatori McConnell është udhëheqësi i fundit i republikanëve në Kongres që deklaron mbështetjen për zotin Trump.
Ai e bëri këtë përmes një deklarate pasi fitoret e zotit Trump në zgjedhjet paraprake të Super të Martës e sollën ish-presidentin republikan një hap më pranë sigurimit të delegatëve të mjaftueshëm për të marrë emërimin e Partisë Republikane si kandidat i saj për president në zgjedhjet e nëntorit.
Senatori McConnell dhe ish Presidenti Trump nuk kanë folur me njëri-tjetrin që nga viti 2020, zoti kur McConnell pranoi fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të atij viti. Por së fundmi, ekipet e tyre rifilluan bisedimet për një mbështetje publike të zotit McConnell për kandidaturën e zotit Trump.
“Është shumë e qartë se ish-presidenti Trump ka fituar mbështetjen e nevojshme të votuesve republikanë për të qenë kandidati ynë për President të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e senatorit McConnell.
“Nuk duhet të jetë befasi që si kandidat i partisë sonë, ai do të ketë mbështetjen time”, thuhet më tej në deklaratën e zotit McConnell.
Mbështetja e senatorit McConnell, i cili e ka kritikuar zotin Trump duke thënë se ai është “moralisht përgjegjës” për sulmin e mbështetësve të tij ndaj Kapitolit në vitin 2021, i jep një legjitimitet institucional përpjekjes së ish-presidentit për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo pason njoftimin javën e kaluar nga zoti McConnell se do të tërhiqet nga pozita e udhëheqësit të republikanëve në Senat, një post që ai e ka mbajtur më gjatë se çdo senator tjetër.
Ish Presidenti Trump deri më tani ka siguruar mbështetjen e shumicës së udhëheqësve republikanë në Kongres, duke përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson dhe senatorëve republikanë, që kanë hyrë në garën për të zëvendësuar zotin McConnell. Një tjetër republikane me peshë në Senat, senatorja nga Ajova, Joni Ernst njoftoi mbështetjen e saj për zotin Trump të mërkurën pasi sfiduesja e fundit kryesore e republikanëve, Nikki Haley pezulloi fushatën e saj, shkruan VOA.