Vendosni fjalën kyçe....

Kompania dev.al zgjerohet në sektorin e shërbimeve financiare, blen shumicën kontrolluese të Rubicon/Pago


Dev.al, një nga kompanitë kryesore të zhvillimit të softuerëve me bazë në Tiranë, ka njoftuar sigurimin e shumicës së aksioneve të Rubicon.

Rubicon është një shoqëri e licencuar nga Banka e Shqipërisë si Institucion i Parasë Elektronike dhe Anëtar Themelor i Mastercard. Me këtë lëvizje strategjike, dev.al konsolidon pozicionin e saj në sektorin e shërbimeve, duke ofruar një suitë të plotë të zgjidhjeve për klientët e saj.

Me një portofol klientësh prej më shumë se 20,000 subjektesh tregtare në Shqipëri, dev.al është konfirmuar si një emër i besueshëm në fushën e zhvillimit të softuerëve, i njohur për zgjidhjet e tij inovative dhe për angazhimin në cilësi dhe shërbim klienti të pakonkurrueshëm.

Blerja e paketës kontrolluese të Rubicon shënon një pikë kulmore të rëndësishme në udhëtimin e dev.al, duke hyrë në fushën e zgjidhjeve të pagesave elektronike të teknologjisë financiare.

Rubicon, i njohur për shërbimin e pagesave të çastit përmes aplikacionit të tij Pago, lëshimin e kartave të debitit, pajisjeve POS (për pagesa më kartë në pika shitjesh) dhe vPOS (pagesa me kartë për e-commerce), përputhet plotësisht me vizionin e dev.al për plotësimin e ofertës drejt klientëve të saj.

Duke integruar Rubicon dhe Pago në dev.al, klientët mund të presin një gamë më të gjerë të shërbimeve dhe një nivel të lartë në lehtësimin e menaxhimit të transaksioneve të tyre financiare.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi përfunduar këtë marrëveshje. Pasi jemi pozicionuar si kompania lider në ofrimin e zgjidhjeve për faturimin dhe shitjet, zgjerimi i ofertës sonë me një zgjidhje pagesash ishte një hap i natyrshëm për ne.” tha Igli Gjelishti, themelues dhe drejtues i dev.al.

“Kjo blerje paraqet një mundësi strategjike, për të zgjeruar praninë tonë në sektorin e shërbimeve financiare dhe për të përmbushur nevojat e klientëve tanë. Së bashku, jemi të gatshëm të ofrojmë zgjidhje inovative që promovojnë rritjen dhe inkurajojnë përfshirjen financiare”, shtoi ai.

Si pjesë e Grupit dev.al, Rubicon dhe Pago do vazhdojnë të operojnë nën markat e tyre ekzistuese, duke shfrytëzuar burimet dhe ekspertizën e dev.al për të shpejtuar trajektoren e rritjes së tyre. Sinergjitë midis dy kompanive do hapin rrugën për zhvillimin e përmirësuar të produkteve, depërtimin më të lartë të tregut dhe shërbim më të mirë ndaj klientëve.

“Jemi entuziastë për mundësitë që na presin pas bashkimit me dev.al,” tha Eno Kotmilo, shef ekzekutiv i Rubicon.

“Ky partneritet, jo vetëm që forcon pozicionin tonë në treg, por gjithashtu na lejon të ofrojmë zgjidhje më të plota për klientët tanë. Së bashku, jemi të pozicionuar mirë për të udhëhequr rrugën në formësimin e të ardhmes së pagesave elektronike në Shqipëri dhe përtej.”