Vendosni fjalën kyçe....

Kosovë, Dogana me aksion kundër barnave të kontrabanduara në veri


Dogana dhe Policia e Kosovës kanë kryer kontrolle në disa barnatore në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, lidhur me dyshimet për kontrabandë me barna dhe materiale mjekësore.

Nga Dogana e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se në dy barnatore në Zveçan dhe Zubin Potok është zbuluar një sasi “e konsiderueshme e barnave të kontrabanudara në Kosovë”.

“Këtë informatë [për dyshimet për barna të kontrabanduara] Dogana dhe Policia e kanë pranuar nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës”, thanë nga Doganat.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se kontrolle janë kryer edhe në Mitrovicë të Veriut.

Sipas Elshanit, policia e Kosovës ka ndihmuar Doganën, duke thënë se operacioni i bastisjes në Zveçan ka përfunduar. Në vendngjarje kanë dalë edhe pjesëtarët e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Në Mitrovicë të Veriut, kontrollet janë kryer në barnatoren “Oreol”, ndërkaq në Zveçan në një objekt për shitjen e mallrave me shumicë, mëson Radio Evropa e Lirë. Në Mitrovicë të Veriut më 7 mars po ashtu janë mbyllur barnatore të tjera në afërsi ku ndodhi aksioni i Doganës së Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet kryejnë bastisje në veri të Kosovës, nën dyshimet për mallra të kontrabancura.

Gjatë një aksion policor në tetor të vitit 2021 në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan u përcoll me dhunë dhe barrikada nga popullata vendëse, teksa dhjetëra persona ishin dhe tetë ishin arrestuar./REL