Vendosni fjalën kyçe....

Kryediplomati kinez ashpërson gjuhën kundër SHBA-së


Kryediplomati kinez përdori sot retorikë të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara dhe foli mbi lidhjet e ngushta të vendit të tij me Rusinë, gjatë një konference shtypi në Pekin.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo nga Pekini, gjuha e ashpërsuar e Kinës kundër Shteteve të Bashkuara vjen në vazhdën e një takimi të rëndësishëm të parlamentit kinez që u zhvillua të hënën.

Ministri i Jashtëm kinez ashpërsoi sulmet verbale të vendit të tij ndaj Shteteve të Bashkuar, gjatë një konferece shtypi në Pekin të enjten.

“Ku është besueshmëria tek një fuqi e madhe nëse Shtetet e Bashkuara gjithmonë thonë diçka tjetër dhe veprojnë ndryshe? Ku është besimi tek një fuqi e madhe që shqetësohet dhe tensionohet thjesht kur përmendet Kina?”, tha zoti Wang Yi.

Kjo deklaratë bie ndesh me qëndrimet e Kinës në shtator, kur Presidenti amerikan Joe Biden u takua me Presidentin kinez Xi Jinping në Kaliforni. Ky takim ndihmoi në stabilizimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë.

Të enjten, minsitri Wang Yi akuzoi Uashingtonin për mosrespektim të premtimeve dhe tha se Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta frenojnë Kinën përmes sanksioneve.

“Dëshira për ta fajësuar Kinën për çdo gjë ka arritur një nivel të pabesueshëm”, tha ai.

Megjithë rifillimin e bisedimeve të nivelit të lartë, Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar sanksionet kundër Kinës për një sërë çështjesh, nga shkeljet e të drejtave të njeriut e deri tek marrëdhëniet e saj me Rusinë.

Gjatë konferencës, ministri Wang mbrojti mbështetjen e Pekinit për Moskën, megjithë agresionin rus kundër Ukrainës.

Ai vazhdoi gjithashtu trysninë ndaj Tajvanit, përpara inaugurimit të një presidenti që Pekini e sheh si separatist.

Mes mospajtimesh gjithnjë e më të tensinuara territoriale me Filipinet në Detin e Kinës Jugore, zoti Wang u zotua se Pekini do t’u përgjigjet atyre që i quajti provokime dhe ndërhyrje nga forcat e jashtme.

Komentet vijnë pak ditë pas një takimi vjetor të parlamentit kinez, që u zhvillua nën masa të rrepta në Pekin.

Takimi synonte shfaqjen e një kthese positive përsa u përket problemeve të shumta me të cilat po përballet ekonomia kineze.

Shumë ekspertë i shohin komentet e zotit Wang si një mënyrë për ta vënë theksin e politikes së jashtme kineze për këtë vit.

Nëse po, Kina duket se do të ketë mjaftueshëm probleme të cilat mund t’i shfrytëzojë për të manovruar./VOA