Janë identifikuar autorët e atentatit ndaj Agron Pukës, 54-vjeçarit i cili mbeti i plagosur pasi iu bë pritë sapo la fëmijët në shkollë, në fshatin Rrilë të Lezhës.
Në kërkim janë shpallur Vincens Tuku, 32-vjeç, Amarildo Kola, 31-vjeç, të dy banues në fshatin Tale, dhe Kevin Ndoka 18-vjeç, banues në Shëngjin.
Po ashtu është arrestuar edhe Agron Puka, pasi ka qëlluar në drejtim të tyre me armë zjarri pistoletë të cilën e mbante pa leje.
“Zbardhet plagosja e shtetasit A. P., kryer mëngjesin e djeshëm, në fshatin Rrilë. Identifikohen 3 shtetasit që qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit të 54-vjeçarit dhe punohet intensivisht për kapjen e tyre.
Vihet në pranga 54-vjeçari, pasi nga hetimet rezultoi se dhe ai ka qëlluar në drejtim të 3 shtetasve, me një armë zjarri, të cilën e mbante pa leje. Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë që përdori shtetasi A. P.
Si rezultat i hetimeve profesionale, administrimit të menjëhershëm të pamjeve nga kamerat dhe veprimeve të tjera në vendngjarje, të kryera menjëherë pas plagosjes me armë zjarri të shtetasit A. P., rreth orës 08:00 të datës 06.03.2024, në fshatin Rrilë, Lezhë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të këtij rasti.
Për rastin u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasit V. T., 32 vjeç, banues në fshatin Tale, A. K., 31 vjeç, banues në fshatin Tale dhe K. N., 18 vjeç banues në Shëngjin.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, për shkak të një konflikti të mëparshëm, për motive të dobëta, kanë tentuar të ndalojnë automjetin me të cilin lëvizte shtetasi A. P. dhe më pas kanë qëlluar drejt këtij automjeti, me armë zjarri”, njofton policia.