Në kryeqytetin historik të Malit të Zi, në Cetinë, të enjten, një grup qytetarësh kanë protestuar para selisë së parlamentit të Malit të Zi kundër ardhjes së kryeparlamentarit Andrija Mandiç për të marr pjesë në hapjen e seancës pranverore, e cila tradicionalisht mbahet në këtë qytet.
“Ne u mblodhëm këtu në Cetinën liridashëse për të protestuar kundër Andrija Mandiçit. E dimë se me kë është dhe kë mbështet, ky popull nuk e meriton këtë,” tha Radovan Peroviç, njëri nga organizatorët e protestës.
Peroviç tha se kryetari i parlamentit Mandiç mohon komunitetet tjera që jetojnë në Malin e Zi.
“Ata prishën të gjithë historinë. Mandiç është kundër Malit të Zi të pavarur. Ai mohon malazezët, kroatët, shqiptarët, myslimanët. Idhujt e tij janë Karaxhiç dhe Mladiç, kriminelë lufte, me në krye Sheshelin“, tha ai.
Protestuesit iu bën thirrje “partive qytetare të tregojnë se janë antifashistë dhe të votojnë për shkarkimin e Mandiçit“.
Ata mbanin pankarta me mbishkrime kundër zotit Mandiç dhe politikës pro-serbe dhe pro-ruse që, sipas tyre, ai dhe ithtarët e tij po e ndjekin në Malin e Zi.
Policia ka shtuar praninë në Cetinë dhe ka mbyllur disa pjesë të qytetit.
Ky reagim i policisë u kundërshtua nga kryetari i komunës së Cetinës, Nikolla Gjurashkoviq, i cili rrethimin policor ndaj një proteste paqësore të qytetarëve e cilësoi si skandaloz.
Sipas ligjit dhe traditës, çdo mbledhje e parë e seancës pranverore nis në kryeqytetin historik të Malit të Zi, në Cetinë, për të vazhduar më pas në Podgoricë.
Kryetari i parlamentit malazez Mandiç ditë më parë priti përfaqësuesin serb të Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik në Podgoricë duke shkaktuar reagime të shumta në Malin e Zi.
Vizita e udhëheqësit serb Dodik ishte një nga arsyet që nxiti partitë opozitare të paraqesin nismën për shkarkimin e Mandiçit nga kreu i parlamentit, duke gjykuar se ai “abuzoi rëndë për interesa partiake, nacionaliste dhe anti-evropiane”, shkruan VOA.