Kreu i Partisë së Lirisë Meta tha në një intervistë për median greke se kryebashkiaku i zgjedhur i HImarës Fredi Beleri u rrëmbye dhe se arrestimi i tij është politik.
Meta theksoi se çështja Beleri tregon se drejtësia është e kapur nga kryeministri Rama duke e quajtur Gjykatën e Posaçme, gjykatë politike të Ramës.
Kreu i PL-së tha gjithashtu se çështja ndaj Belerit ka qenë e parafabrikuar.
Pjesë nga intervista
Si e komentoni vendimin e Gjykatës Speciale për Fredi Belerin?
Ilir Meta: Nuk është Gjykata Speciale, është Gjykata e Ramës, është gjykatë politike. Beleri nuk u arrestua, ai u rrëmbye dhe të gjithë e dinë se gjithçka ishte e parafabrikuar. Kryeministri në një intervistë televizive, disa orë përpara se Policia ta rrëmbente Belerin, kryeministri pra e paralajmëroi Belerin se do merrej personalisht me të.
A mendoni se Beleri është i pafajshëm?
Ilir Meta: Unë besoj se Beleri është kryetari legjitim i Bashkisë së Himarës, i zgjedhur nga njerëzit, i konfirmuar nga KQZ dhe sipas Kushtetutës sonë, asgjë nuk mund ta ndalojë që të bëjë betimin.
A është gjyqtarja Irena Gjoka e urdhëruar nga Rama?
Ilir Meta: Drejtësia këtu është totalisht e kontrolluar nga Rama. Kjo çështje është vetëm politike, dhe nuk ka aspak të bëjë me respektin ndaj ligjit, ndaj Kushtetutës dhe ndaj vullnetit të njerëzve.
A mendoni se çështja Beleri po pengon anëtarësimin e Shqipërisë në BE?
Ilir Meta: Unë mendoj se çështja Beleri është një çështje e qartë, në të cilën gjithë bota mund të shohë që në Shqipëri sundimi i ligjit nuk ekziston. Grupet kriminale mbështetën hapur kandidatët e Ramës, duke dhunuar hapur vullnetin e njerëzve.