Pas denoncimit në polici dhe publikimit të videove të konfliktit mes Leka Zogut dhe bashkëshortes së tij Elia Zaharia me të cilën është në proces divorci, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për dhunë në familje.
Sipas Prokurorisë hetimet kanë nisur më datë 06.03.2024, pasi Komisariati i Policisë Nr.1 ka referuar materialet e nevojshme për prokurorin përkatës.
Në të njëjtën kohë, prokuroria po bën verifikime në lidhje se si është publikuar videoja në rrjetet sociale dhe në media që mund të jetë provë materiale në këtë rast pasi është konstatuar nga organi i hetimit se zarfi ku është administruar prova nuk është i hapur.
Në përputhje me procedurat hetimore, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është ngarkuar me kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Njoftimi i prokurorisë:
Prokuroria Tiranë nis hetimet për Veprën Penale ‘Dhunë në Familje’ pas denoncimit të shtetasit L.Z., verifikime edhe për publikimin e videos, provë materiale. Në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më datë 06.03.2024, ora 15.00 është referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1 materiali kallëzues i shtetasit L.Z për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi kallëzimin penal nr.2893 për Veprën Penale të parashikuar nga neni 130/4 i Kodit Penal.
Materiali është shortuar dhe i është ngarkuar prokurorit përkatës.
Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale. Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur. Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse.