7 Marsi, njihet si festa e Mësuesit në vendin tonë dhe festohet në të gjitha shkollat dhe universitetet.
Është një ditë simbolike për të kujtuar e vlerësuar mësuesit për përkushtimin e tyre në mësimdhënie dhe në përgatitjen e brezave të ardhshëm.
Zanafilla e kësaj dite përkon me hapjen e mësonjëtores së parë shqipe, e cila u hap në Mars të vitit 1887 në Korçë, pikërisht në një kohë kur shqiptarët mësonin shqip fshehurazi në shtëpitë e tyre, për shkak të sundimit Osman.
Mësonjëtorja e Korçës ka qëndruar e hapur për të paktën 20 vite dhe drejtues të tij ishin figurat e shquara të Rilindjes shqiptare si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami e të tjerë.
Festa e 7 Marsit, u përforcua më shumë gjatë periudhës komuniste. Ajo ishte dita më e shënuar për mësuesit. Ishte një traditë e bukur, kur nxënësit zgjidhnin përfaqësuesit e tyre më të mirë, të cilët shkonin për vizitë në shtëpinë e mësuesit. Mësuesi i priste me gjithë të mirat, me ëmbëlsira e fruta, ndërsa dhuratat e nxënësve ishin shumë simbolike: lule ose libër.
Sot kjo traditë ka ndryshuar. Festa e mësuesit organizohet në shkollë, me koncerte dhe aktivitete të ndryshme. Edhe dhuratat janë më të larmishme, jo thjesht lule.
Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të dalluar shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.