Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Berishës: Akti i ekspertimit vërteton se procedura ka qenë e rregullt, çështje absurde


Avokati i ish-kryeministrit Berisha tha pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Posaçme se akt-ekspertimi kontabël nuk ka gjetur asgjë në kundërshtim me ligjin dhe asnjë element korruptiv.

Gjokutaj tha se çështja është absurde dhe se sipas provave, procedura ka qenë e rregullt dhe në përputhje me ligjin.

“Akt ekspertimi kontabël shpjegon të gjithë ecurinë e historisë së z. Malltezi që në kundërshtim me c’kërkon prokuroria, gjithçka është shpjeguar. Akti është depozituar dhe i jep përgjigje cështjes së korrupsionit për z. Malltezi dhe bashkëpunimit më tej me z. Berisha. Çështje absurde, por ndonjëherë absurdi do më shumë kohë për t’u sqaruar. Akti i ekspertimit vërteton që procedura ka qenë e rregullt, nuk ka pastrim të produktit të veprave penale.” – tha Gjokutaj.

Në seancën e së hënës ai akuzoi gjyqtaren Irena Gjoka se po vepron me urdhër politik të kryeministrit Rama dhe se qëllimi i shtyrjes së seancave është djegia e mandatit të ish-kryeministrit Berisha.

Ky i fundit është në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit 2023 ndërsa po hetohet për privatizimin e ish-klubit Partizani.