Dhjetra fermerë spanjollë protestues u përpoqën të sulmojnë parlamentin rajonal në Pamplona të enjten.
Policia arriti të ndalojë turmën që përpiqej të futej brenda, ndërsa qeveria rajonale e Navarrës miratoi buxhetin e vitit 2024.
“Ky episod është i papranueshëm dhe i dënueshëm nga pikëpamja demokratike,” u tha gazetarëve presidenti i Navarrës, Unai Hualde.
“Ky ishte si sulmi i 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara.”
Ministrja e Brendshme rajonale, Amparo Lopez, u zotua gjithashtu të hetojë pamjet e protestuesve, të cilët mund të përballen me akuza penale.
“Do ishim në një gjendje shumë më të keqe nëse policia nuk do ta kishte ndaluar këtë. Këto janë akte shumë të rënda dhe, në fakt është hera e parë që ndodh diçka e tillë”, tha ajo.
“Ne jemi këtu që të përpiqemi të flasim me politikanët dhe ata nuk donin të na dëgjonin”, u tha gazetarëve Javier Rodriguez nga lëvizja protestuese 6F pas incidentit.
“Ne duam të kërkojmë respekt për sektorin dhe kemi ndjesinë se nuk po dëgjohemi apo po marrim pjesë në hartimin e ligjeve apo reformave.”
Kjo nuk ishte e vetmja protestë e fermerëve në Spanjë të enjten, pasi mobilizimet kanë vazhduar prej rreth një muaj rradhazi.
Fermerët që protestojnë me qindra traktorë ndërprenë trafikun në autostradën AP-8 nga Irun, në anën spanjolle të kufirit francez. Protestat e organizuara në rrjetet sociale, ndërprenë trafikun dhe formuan bllokime trafiku prej disa kilometrash.
Zyrtarët qeveritarë të martën thanë se nëntë policë u plagosën në përleshjet me fermerët pranë qytetit të Zamoras, me disa protestues të arrestuar.
Ndërsa Spanja dhe BE-ja kanë shpallur disa lëshime për fermerët protestues, grupet spanjolle po kërkojnë më shumë masa.
Sindikata COAG bëri thirrje të mërkurën që Spanja të ndalojë menjëherë importet e prodhimeve të freskëta nga Maroku pasi luleshtrydhet e importuara u zbuluan se mbartin hepatitin A.