Vendosni fjalën kyçe....

“Kërcënim për demokracinë, u përkul para Putinit” – Biden sulmon ashpër Trump-in në fjalimin vjetor drejtuar kombit


Presidenti Joe Biden sulmoi Donald Trump-in në një fjalim të zjarrtë në Kongres të enjten, duke akuzuar kundërshtarin zgjedhor si kërcënim të demokracisë amerikane dhe përkulje ndaj Rusisë, ndërsa kërkoi mbështetjen edhe për një mandat tjetër në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Në fjalimin e tij të fundit të njohur si “State of the Union” para zgjedhjeve, Biden, ai e akuzoi Trump-in, kundërshtarin e tij republikan në zgjedhjet e 5 nëntorit, se kishte varrosur të vërtetën rreth sulmit të 6 janarit 2021, në Kapitol, duke iu përkulur presidentit rus Putin dhe prishjen e një projektligji për të forcuar kufizimet në kufirin e SHBA-së me Meksikën.

Fjalimi 68-minutësh i dha Biden-it, i cili vuan nga vlerësimet e ulëta të miratimit, një mundësi për të folur drejtpërdrejt me miliona amerikanë për vizionin e tij për një mandat tjetër katërvjeçar dhe të paraqesë një kontrast me Trump-in, emrin e të cilit ai nuk e përmendi, por prania e të cilit kumbonte gjatë gjithë fjalimit.

Duke folur para një sesioni të përbashkët të Kongresit dhe Senatit, Biden e hapi fjalimin me kritika të drejtpërdrejta ndaj Trump-it për komentet e tij, të cilat sipas Biden ishin një ftesë për Putinin të pushtonte vendet e tjera të NATO-s nëse ato nuk shpenzonin më shumë për mbrojtjen.

“Tani paraardhësi im, një ish-president republikan, i thotë Putinit, citoj: “Bëj çfarë të duash”, tha Biden. “Unë mendoj se është e keqe, e rrezikshme dhe e papranueshme.”

Biden, i cili e ka shtyrë Kongresin që të sigurojë fonde shtesë për Ukrainën për luftën e saj me Rusinë, kishte gjithashtu një mesazh për Putinin: “Ne nuk do largohemi,” tha ai.

Presidenti gjithashtu tërhoqi një kontrast me Trump-in lidhur me të drejtat e abortit dhe ekonominë.

Biden doli duke u lëkundur në krye të fjalimit të tij me deklarata të të forta. Ai akuzoi Trump-in dhe republikanët se po përpiqeshin të rishkruanin historinë në lidhje me trazirat e 6 janarit 2021, në Kapitol nga mbështetësit e ish-presidentit që kërkonin të përmbysnin fitoren e Bidenit në 2020.

“Paraardhësi im dhe disa prej jush këtu kërkojnë të varrosin të vërtetën për 6 janarin. Unë nuk do e bëj këtë,” tha Biden, një sinjal se ai do ta theksojë këtë çështje gjatë fushatës së tij të rizgjedhjes.

“Nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur fiton”.

Ai gjithashtu kritikoi republikanët për përpjekjen për të hequr dorë nga dispozitat e kujdesit shëndetësor sipas Aktit të Kujdesit të Përballueshëm, i njohur gjithashtu si Obamacare, dhe për rritjen e deficiteve.

Biden përballet me pakënaqësi në mesin e progresistëve në partinë e tij për mbështetjen e tij për Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit dhe nga republikanët lidhur me qëndrimin e tij ndaj emigracionit, por disponimi midis demokratëve në dhomë ishte entuziast. Ata e përshëndetën Biden-in me brohoritje dhe duartrokitje.

Ndërkohë, Trump dërgoi një rrjedhë të vazhdueshme mesazhesh që thumbuan Biden-in në platformën e tij “Truth Social”.

“Ai duket shumë i zemëruar kur flet, gjë që është një tipar i njerëzve që e dinë se po e ‘humbin’”, shkroi Trump.

“Zemërimi dhe të bërtiturat nuk janë të dobishme për të bashkuar vendin tonë!”

Më poshtë janë pikat kyçe të fjalimit të Biden

“Paraardhësi im”

Brenda minutave të para të fjalimit, Biden nisi akuzat ndaj Trump-it. Ai e sulmoi atë mbi tema të ndryshme, duke përfshirë afërsinë e tij me Rusinë, sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së dhe udhëheqjen e tij gjatë pandemisë së koronavirusit.

Pasi përshkroi ankthin ekonomik dhe shoqëror të sjellë nga pandemia, Biden tha se paraardhësi i tij “dështoi detyrën më themelore” presidenciale: “detyrën për t’u kujdesur”.

Kjo shkaktoi një shpërthim zemërimi mes dëgjuesve pasi dikush bërtiti: “Gënjeshtar!”

Kryetari i Kongresit Mike Johnson tundi kokën.

Të drejtat e abortit

Biden humbi pak kohë duke adresuar një çështje kryesore për demokratët në zgjedhjet e nëntorit: të drejtat e abortit.

Biden kritikoi Trump-in për mburrjen lidhur me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët në vitin 2022 ndihmuan në rrëzimin e ‘Roe kundër Wade’. Dhe me disa nga gjyqtarët mes dëgjuesve, Biden i paralajmëroi ata se vendimi ka shkaktuar një stuhi politike.

“Me gjithë respektin e duhur për drejtësinë, gratë nuk janë pa pushtet zgjedhor apo politik”, tha Biden. “Ju jeni gati të kuptoni se sa shumë.”

Biden akuzoi gjithashtu Trump-in se dëshironte një ndalim kombëtar të abortit, një temë që ish-presidenti e ka hedhur poshtë ndërsa përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme.

“O Zot, çfarë lirie tjetër do hiqje?” tha Biden.

Kritika ndaj republikanëve të Kongresit

Ndërsa Biden e kritikoi vazhdimisht Trump-in, ai gjithashtu nuk ngurroi të bënte të njëjtën gjë edhe me ligjvënësit republikanë në sallë.

Duke diskutuar 6 janarin në fillim të fjalimit, Biden tha se Trump “dhe disa prej jush këtu kërkojnë të varrosin të vërtetën” për atë që ndodhi atë ditë.

Ndërsa fjalimi vazhdoi, republikanët në audiencë u bënë më të gatshëm të përgjigjen. Një nga ato çaste erdhi kur Biden akuzoi republikanët se donin të shkurtonin sigurimet shoqërore dhe të ulnin taksat për të pasurit.

 “Oh, jo? Ju djema nuk doni një ulje të taksave prej 2 trilion dollarësh?” tha Biden.

“Mendova se ky ishte plani juaj. Epo, është mirë të dëgjosh.”

Biden bëri një reagim të ngjashëm kur republikanët reaguan në mënyrë mosmiratuese ndaj pretendimit të tij të marrëveshjes së fundit të sigurisë kufitare, të cilën disa senatorë republikanë e negociuan, si “grupi më i ashpër” i ligjeve për këtë çështje.

Ai u përgjigj me habi, duke pyetur republikanët pse nuk u pëlqente një projektligj për të cilin ‘konservatorët u mblodhën dhe thanë se ishte i mirë’.

Beteja kufitare

Duke trajtuar një nga dobësitë më të mëdha në fushatën e tij të rizgjedhjes, gjendjen në kufirin SHBA-Meksikë, Biden u bëri thirrje sërish republikanëve që të heqin dorë nga qëndresa e tyre ndaj marrëveshjes dypartiake të sigurisë të Senatit, të cilën republikanët së fundi e hodhën poshtë.

“Ne mund të përplasemi për rregullimin e kufirit,” tha Biden, “ose mund ta rregullojmë atë.”

Duke hyrë në fjalim, republikanët e kishin sfiduar Biden-in që të “përmendte emrin e saj”, të Laken Riley, studentes së infermierisë të vrarë në Xhorxhia nga një vrasës i dyshuar, i cili sipas autoriteeve kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në vend.

Duke iu përgjigjur një shpërthimi nga deputetja Marjorie Taylor Greene, Biden ndaloi dhe e trajtoi çështjen, megjithëse fillimisht dukej se e shqiptoi gabim emrin e Riley si “Lincoln”.

“Një grua e re e pafajshme që u vra nga një ilegal, është e drejtë”, tha Biden.

“Por sa mijëra njerëz po vriten vrarë nga ilegalët? Unë u them prindërve të saj, zemra ime është me ju, pasi kam humbur vetë fëmijët.”

I ashpër ndaj Rusisë

Momentet e para të fjalimit të Biden-it ishin të habitshme jo vetëm për kritikat e drejtpërdrejta ndaj Trump-it, por edhe për kontekstin në të cilin erdhi. Duke bërë thirrje për rritjen e ndihmës për Ukrainën, Biden përdori llojin e retorikës së ashpër ndaj Rusisë që është bërë më pak e zakonshme në republikanët nën Trump-in.

“Mesazhi im për presidentin Putin është i thjeshtë”, tha Biden.

“Ne nuk do largohemi. Ne nuk do përkulemi. Unë nuk do përkulem.”

Biden gjithashtu sulmoi Trump-in për komentet e tij të fundit se ai do nxiste Rusinë të bënte çfarë të donte ndaj një vendi të NATO-s nëse ai vend nuk po paguante mjaftueshëm për mbrojtjen.

“Përkulja para një udhëheqësi rus”, tha Biden.

“Mendoj se është mizore, e rrezikshme dhe e papranueshme.”

Mosha

Me sondazhet që tregojnë shumë votues të shqetësuar për moshën e tij, 81-vjeçari Biden nuk i është shmangur kësaj teme.

“E di që mund të mos dukem, por kam qenë rreth e rrotull”, tha Biden me shaka.

“Dhe kur arrin në moshën time, disa gjëra bëhen më të qarta se kurrë më parë.”

Ai më pas iu referua moshës së tij për të krahasuar optimizmin e tij për Amerikën me pikëpamjen e Trump-it, duke tundur kokën për faktin se Trump është vetëm katër vjet më i ri se ai.

“Tani njerëzit e tjerë në moshën time e shohin atë ndryshe, një histori amerikane pakënaqësie, hakmarrjeje dhe ndëshkimi”, tha Biden.

“Ky nuk jam unë.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani