Gjashtë persona nga Sri Lanka, përfshirë një nënë dhe katër fëmijë të vegjël, u vranë me thikë në kryeqytetin kanadez Otava të mërkurën vonë, tha policia të enjten, duke tronditur një vend ku vrasjet masive janë të rralla.
Kryeministri Justin Trudeau tha se ishte i tmerruar nga ajo që ai e quajti një “tragjedi e tmerrshme”. Nga sulmi mbeti i plagosur edhe babai i familjes, i cili ndodhet në spital.
Policia tha se Febrio De-Zoysa, një student mashkull 19-vjeçar nga Sri Lanka, ishte arrestuar dhe akuzohet për vrasjen. De-Zoysa e njihte familjen dhe kishte jetuar në shtëpinë ku ndodhi krimi, thanë ata.
Viktimat e vrarë janë një grua 35-vjeçare dhe fëmijët e saj 7, 4, 2 dhe 2 muajsh, si dhe një 40-vjeçar i njohur i familjes.
“Ky ishte një akt i pakuptimtë dhune i kryer mbi njerëz thjesht të pafajshëm,” tha shefi i policisë së Otavës, Eric Stubbs në një konferencë shtypi televizive. Policia tha se nuk kishte pasur precendentë të mëparshëm nga i dyshuari.
Kryebashkiaku i Otavës, Mark Sutcliffe, në një postim në rrjetet sociale, tha se ishte “një nga incidentet më tronditëse të dhunës në historinë e qytetit tonë”.
Otava, e cila ka q milion banorë, pa 14 vrasje në 2023 dhe 15 në 2022.
Viktimat e së mërkurës u gjetën brenda një shtëpie në periferinë jugperëndimore të Barrhaven. Policia ka mbërritur në vendngjarje pas thirrjeve të urgjencës pak para orës 23:00 të mërkurën.
Vrasjet masive në Kanada janë të rralla. Në dhjetor të vitit 2022, një burrë qëlloi pesë persona në një periferi të Torontos përpara se të vritej nga policia.