Vrulli i rritjes së çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm në dy muajt e parë të këtij viti.
Pasi u reduktua në 3.4 në janar, nga 4% që u mbyll 2023-shi, inflacioni, i cili mat ndryshimin e shportës kryesore të mallrave të konsumit, ka rënë në 2.6% në shkurt.
Ky është niveli më i ulët, që nga tetori 2021, përpara se të fillonte një valë rritje çmimesh, fillimisht si rrjedhojë e problemeve në furnizim që krijoi pandemia dhe më pas nga çrregullimet e tregjeve si rrjedhojë e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.
Rënia e inflacionit është ndikuar dhe nga ecuria e tij në Europë, duke bërë që furnitorët të blejnë importet më lirë, ndërkohë që favorizohen dhe nga rënia e euros në tregun vendas. Eurostat njoftoi më herët se inflacioni në eurozonë ra në 2.6% në shkurt, megjithëse rënia e tij ishte më e ulët sesa pritej.
Në tregun vendas inflacioni ka zbritur poshtë objektivit të shënjestruar prej 3% të Bankës së Shqipërisë, duke e bërë të panevojshme shtrëngimin e mëtejshëm të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë, siç parashikohej në fund të vitit dhe siç u këshillua dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Në mbledhjen e fundit, në fillim të shkurtit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.25%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha në fillim të shkurtit, se megjithatë, edhe pse në rënie, presionet e brendshme inflacioniste mbeten relativisht të larta dhe nuk janë ende në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve.
Kjo ecuri diktohet nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, e cila mban të larta marzhet e fitimit, si dhe nga rritja e shpejtë e pagave, e cila përcillet më tej në kosto të rritura prodhimi.
Që nga marsi i vitit 2022, Banka e Shqipërisë e ka rritur shtatë herë normën bazë, duke e çuar nga 0.5% në 3.25%, si instrumenti kryesor i saj për të luftuar inflacionin. Ndërhyrja e fundit ishte në nëntor 2023, kur norma u rit me 0.25 pikë përqindje.
Ushqimet vijojnë të shtrenjtohen, por edhe argëtimi
Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,96 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,45 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,35 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,19 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,18 pikë përqindje, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,17 pikë përqindje, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,12 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,07 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,10 pikë përqindje.
Sipas INSTAT, Krahasuar me muajin Shkurt 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 4,9 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,7 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,8 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,7 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,5 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,4 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,4 %, “Shërbimi arsimor” me 2,2 %, “Shëndeti” me 1,9 % dhe “Komunikimi” me 0,3 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 1,6 %.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 4,7 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 4,6 %, “mish” dhe “peshk”me 4,2 % secili, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3,6 %, “fruta” me 2,9 %, etj.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani