Vendosni fjalën kyçe....

Polonia kundër zgjerimit të privilegjeve tregtare për Ukrainën


Varshava dëshiron që BE-ja të heqë rregullat preferenciale të tregtisë që i janë dhënë Kievit pas fillimit të konfliktit me Rusinë, u tha gazetarëve të enjten kryeministri polak Donald Tusk, mes presionit nga protestat mbarëkombëtare të fermerëve.

Tusk tha se në takimet e ardhshme me krerët evropianë, duke përfshirë një të enjten me shefen e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në kongresin e Partive Popullore Evropiane në Bukuresht, ai do nxisë ndryshime për të mbrojtur tregjet dhe prodhuesit polakë dhe të BE-së.

“Me ndryshime nënkuptojmë nevojën për t’u kthyer pak a shumë te rregullat që zbatoheshin në tregtinë me Ukrainën dhe vendet e tjera të treta përpara shpërthimit të luftës,” tha ai.

Menjëherë pas sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, Komisioni Evropian hoqi përkohësisht të gjitha detyrimet dhe kuotat për mallrat ukrainase për një periudhë prej një viti, me qëllim që të lejojë që prodhimet bujqësore të Kievit të dërgohen në tregjet globale. Megjithatë, pjesa më e madhe e mallit përfundoi duke përmbytur tregjet e Evropës Lindore dhe duke destabilizuar çmimet.

Në vitin 2023, Brukseli e zgjati masën edhe për një vit, pavarësisht protestave nga fermerët në të gjithë bllokun, të cilët argumentuan se trajtimi preferencial i Ukrainës po krijonte konkurrencë të pandershme dhe po kërcënonte jetesën e tyre.

Të enjten, Komiteti i Tregtisë i Parlamentit Evropian mbështeti një propozim për të zgjatur edhe një herë regjimin special tregtar për Ukrainën deri në qershor 2025. Vendimi do ketë nevojë për miratim përfundimtar në një seancë të Parlamentit Evropian në prill.

Ndërkohë, Varshava ka ndaluar në mënyrë të njëanshme importet e ushqimit ukrainas, pas protestave të fermerëve polakë, të cilët kanë bllokuar pothuajse tërësisht pikat kufitare me Ukrainën për të parandaluar hyrjen e çdo drithi.

Financial Times raportoi të mërkurën se Ukraina ka rënë dakord të pranojë disa kufizime tregtare me BE-në në mënyrë që t’i japë fund mosmarrëveshjes së saj me Poloninë. Megjithatë, Kievi ka kërkuar që në këmbim, blloku duhet të ndalojë importin e produkteve agro-ushqimore, veçanërisht grurit, nga Rusia dhe Bjellorusia.

Varshava ka shprehur mbështetje për kërkesën e Kievit, me Tusk që njoftoi të hënën se masa të tilla do mbështeteshin edhe nga Lituania.

Sipas të dhënave zyrtare, importet e produkteve ushqimore të Polonisë nga Rusia arritën në rreth 380 milionë dollarë në vitin 2023, krahasuar me 1.8 miliardë dollarë importe nga Ukraina.