Vendosni fjalën kyçe....

Banorët në protestë kundër projektit të ujësjellësit të ri të Himarës: Larg duart nga Shushica


Me pankarta në duar “Larg duart nga Shushica” dhe “Shpëtoni Shushicën tonë”, banorët kanë dalë sërish në protesta pranë fshatit Kuç kundër projektit të ujësjellësit të ri të Himarës.

Banorët i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama të shkojë dhe t’i japë llogari, duke u shprehur se “pushtetin vetëm e vjedh, populli është thesari më i madh”.

“Të gjithë na kanë braktisur. Ftoj Ramën të vijë këtu, të na dalë përpara dhe të japë llogari deri në 1, sepse pushtetin vetëm e vjedh, populli është thesari më i madh. Ta ketë parasysh kryeministri, sepse nga ferra e vogël del lepuri i madh”, tha një nga banorët.

“Luftoni për të drejtat tuaja, asnjë nuk është me ju. Qeverinë e keni kundër, parlamentin e keni kundër, deputetët e zonës i keni kundër. Vetëm ju mund ti bëni derman këtij vendi. O sot, o kurrë më”, iu drejtua banorëve një nga protestuesit.

Ndërtimi i ujësjellësit të ri të Himarës devijon ujin e lumit të Shushicës, degë e Vjosës dhe aktivistë e banorët e kanë kundërshtuar duke u shprehur se rrezikon sipas tyre dëmtimin e ekosistemit.

Ky projekt parashikon devijimin e ujit nga Lëpusha – burimi kryesor i Shushicës, drejt qytetit të Himarës dhe fshatrave të tjerë të vijës bregdetare për t’u shërbyer rreth 80 mijë banorëve dhe turistëve të shumtë që pushojnë në rivierën e Jonit gjatë muajve të verës.

Lumi Shushicë është një prej degëve kryesore të lumit Vjosë, ky i fundit i shpallur Park Kombëtar në mars të vitit 2023. Një vit pas vendimit që u trumbetua nga qeveria, Shushica përballet me mundësinë e heqjes nga statusi i mbrojtur.

Sipas ekspertëve mjedisorë, projekti i ujësjellësit të Himarës, i financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim, “Kreditanstalt für Wiederaufbau” (KfW) dhe Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), planifikon të devijojë 140 litra ujë në sekondë nga lumit dhe rrezikon ta thajë plotësisht pjesën e sipërme të tij gjatë verës.

Shkencëtarët e huaj që merren prej vitesh me studimin e ekosistemit të Vjosës theksojnë se raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis i cili ka shërbyer edhe për lëshimin e lejes së projektit, është i pabazuar në prova shkencore dhe është keqinformues.