Një rrugë që po ndërtohet nga ushtria izraelite, e cila e ndan Gazën në dysh, ka arritur në bregdetin e Mesdheut, tregon një analizë që CNN ka bërë nga imazhet satelitore.
Sipas CNN rruga është pjesë e një plani sigurie për të kontrolluar territorin për muaj dhe ndoshta vite në vijim, kanë thënë zyrtarët izraelitë.
Një imazh satelitor i 6 marsit zbulon se rruga lindje-perëndim, e cila ka qenë në ndërtim e sipër për javë të tëra, tani shtrihet nga zona kufitare Gaza-Izrael në të gjithë brezin afërsisht 6.5 kilometra të gjerë, duke ndarë Gazën veriore, nga jugu i enklavës. Rreth 2 kilometra përfshin një rrugë ekzistuese, ndërsa pjesa tjetër është e re, sipas analizës së CNN.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) i thanë CNN se po përdornin rrugën për të “krijuar (një) bazë operacionale në zonë” dhe për të lejuar “kalimin e forcave si dhe të pajisjeve logjistike”. Kur u pyetën për përfundimin e rrugës, IDF tha se rruga ekzistonte para luftës dhe ishte duke u “rinovuar”, për shkak të automjeteve të blinduara që “e dëmtonin atë”. Ai shtoi se “Nuk ka një fillim dhe një mbarim”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shpalosi një plan, në kabinetin e tij të sigurisë më 23 shkurt për një të ardhme pas Hamasit për Gazën, duke përfshirë “çmilitarizimin e plotë” të enklavës dhe rishikimin e sigurisë, administratës civile dhe arsimit të saj.
Palestinezët që jetojnë në Gaza kanë frikë se planet e sigurisë së Izraelit të pasluftës do të kufizojnë më tej lirinë e tyre të lëvizjes, duke kujtuar ditët e pushtimit izraelit para vitit 2005, kur u vendosën postblloqe midis fshatrave fqinjë dhe u ndërtuan rrugë ekskluzive anashkaluese për të lidhur vendbanimet izraelite me njëri-tjetrin dhe ndaj Izraelit.
Korridori Netzarim
Një rrugë që po ndërtohet nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) përgjatë brezit 6.5 kilometra të gjerë – i njohur si “Korridori Netzarim” – që ndan veriun e enklavës nga jugu, ka arritur në Bregdetin e Mesdheut, tregojnë pamjet satelitore. Sipas IDF, rruga do të përdoret për lëvizjen e trupave dhe pajisjeve logjistike, si dhe për të siguruar një “bazë operacionale” në zonë.
I emëruar sipas ish vendbanimit izraelit Netzarim në Gaza, “Korridori Netzarim” kryqëzon një nga dy rrugët kryesore veri-jug të Gazës, rrugën Salaheddin, për të krijuar një kryqëzim strategjik qendror. Duket gjithashtu se lidhet me rrugën Al Rashid, e cila kalon përgjatë bregdetit, tregojnë imazhet satelitore. Palestinezët i thanë CNN se ata kujtojnë se i ashtuquajturi “kryqëzimi i Netzarimit” ekzistonte para vitit 2005; në atë kohë, ajo ishte kryesisht e aksesueshme vetëm për kolonët izraelitë.
Ministri izraelit për Çështjet e Diasporës, Amichai Chikli i tha CNN se rruga e re do ta “bëjë më të lehtë” për ushtrinë izraelite nisjen e bastisjeve në veri të qytetit të Gazës dhe në jug, në zonën qendrore të Rripit të Gazës.
Rruga, për të cilën ai tha se do të përdoret për të paktën një vit, do të ketë tre korsi: një për tanke të rënda dhe mjete të blinduara, një tjetër për mjete të lehta dhe një të tretë për lëvizje më të shpejtë. Do të jetë e mundur të vozitësh në Korridorin Netzarim nga Be’eri, një kibut izraelit pranë kufirit të Gazës, deri në Detin Mesdhe në shtatë minuta, tha ai.
Çikli nuk është i përfshirë në politikën ushtarake izraelite. Por, në janar, Chikli, së bashku me anëtarët e tjerë të parlamentit të Izraelit, Knesset, propozuan një plan për të mposhtur Hamasin që përfshinte hapa për të fituar kontrollin mbi pjesët strategjike të rripit. Në të, ata thanë se Korridori Netzarim do të përdoret “për të mundësuar trajtimin e infrastrukturës nëntokësore të Hamasit dhe xhepave të tij të rezistencës në veri të Rripit të Gazës”.
“Banorët e Rripit të Gazës nuk duhet të lejohen të kthehen në veri të paktën deri në prishjen e të gjithë infrastrukturës nëntokësore dhe çmobilizimin e plotë të zonës”, thuhet në propozim. Ai përfshinte gjithashtu një korridor të dytë më në jug që ai e quajti Korridori Sufa. Plani nuk është miratuar nga IDF, por ai përfshin elementë që po vijnë në ekzistencë, duke përfshirë Korridorin Netzarim.
VINI RE: Artikulli është marrë me shkurtime nga CNN