Policia e Krujës ka arrestuar dy persona pasi transportonin 3 kg kanabis me makinën e tyre.
Në prangat e policisë ranë shtetasit me iniciale A.Sh 39-vjeç dhe A.Gj, 30 vjeç, banues në Selitë, Tiranë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëfilltë hetimore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërmjetësi”.
Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën “Hida”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Sh., 39 vjeç, dhe A. Gj., 30 vjeç, të dy banues në Selitë, Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta dy shtetas janë kapur në flagrancë duke transportuar me automjet, një thes brenda të cilit kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë 3 kg.
Lënda narkotike, së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.