Vendosni fjalën kyçe....

Maqedoni e Veriut, shtatë kandidatë garojnë në zgjedhjet presidenciale 


Shtatë kandidatë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut që do të mbahen më 24 prill.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka bërë të ditur se deri në premten në mesnatë, shtatë nga njëmbëdhjetë kandidatët e paraqitur kanë arritur të mbledhin nga 10.000 nënshkrime, sa janë të nevojshme për të marrë pjesë në garën presidenciale.

VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhje do të garojë me deputetët aktuale Gordana Siljanovska*Davkovën, e cila ka mbledhur 28.000 nënshkrime.

Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, i cili në KSHZ ka dorëzuar rreth 22.000 nënshkrime.

Në garën zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili ka grumbulluar rreth 11.000 nënshkrime, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit, i cili grumbulloi më shumë se 10.000 nënshkrime.

Pjesë e garës zgjedhore do të jetë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.

Renditja e kandidatëve për në listën votuese do të bëhet e ditur pas shortit, që do të hidhet më 28 mars.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa i dyti, së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.

Këto zgjedhje vlerësohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen evropiane të vendit, ndërsa shërbejnë edhe si test për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Sipas hulumtimeve të opinionit publik, në epërsi të theksuar është VMRO DPMNE-ja opozitare ndaj LSDM-së, si për zgjedhjet presidenciale, ashtu edhe për ato parlamentare.

Bazuar në Kushtetutën aktuale, në rundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi kandidati duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore apo gjysmën e votave të 1.8 milion zgjedhësve.

Në rundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton më shumë vota, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit.

Fushata elektorale, e cila do të zgjasë 20 ditë, do të nisë më 4 prill.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL