Lajmi për amnistinë penale për të dënuarit nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku përfshihen edhe politikanët dhe zyrtarët e lartë, u përhap si zjarri në kashtë.
Pavarësisht fakteve publike të vërtetueshme përmes dokumentacioneve të Kuvendit të Shqipërisë, ministri i drejtësisë Ulsi Manja vijoi të garantojë publikisht se amnistia penale nuk do të tolerojë asnjë të dënuar nga GJKKO.
“E kam thënë që në krye të herës, nuk do të ketë amnisti jo e jo, por as ulje të dënimit për ata që janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar nga GJKKO” – kështu tha ministri Manja për mediat në 4 Mars.
Por faktet tregojnë një histori tjetër.
Amnistia penale – çfarë ndodhi në të vërtetë me?
Draft-ligji i amnistisë penale i propozuar nga Ministria e Drejtësisë fillimisht parashikonte që personat e dënuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të mos përfitojnë ulje të dënimit nga amnistia penale. (Neni 5, pika 2, gërma c)
Mes akuzave që hetohen nga GJKKO janë edhe krimet e kryera nga zyrtarët e lartë (Kodi i procedurës Penale, Neni 75/a gërma c).
Por, kur komisioni i ligjeve “mbaroi punë” me shqyrtimin e projekt-ligjit, ky ndalim nuk ekzistonte më. Kjo do të thotë se projekt-ligji i amnistisë penale tashmë lejon edhe personat që janë dënuar nga GJKKO të përfitojnë ulje të dënimit. Mes tyre përfshihen edhe politikanët dhe zyrtarët e lartë.
Me këtë ndryshim të ligjit, nuk përfitojnë nga amnistia penale vetëm personat e dënuar me burgim për vrasje (neni 79 i Kodit Penal) dhe personat e dënuar me burgim të përjetshëm.
Kush e propozoi faljen e të dënuarve nga GJKKO?
Në media, u raportua se ndryshimi erdhi pasi u sugjerua nga deputeti demokrat Bledjon Nallbati dhe u mbështet nga socialistët.
Faktoje kërkoi nga Kuvendi i Shqipërisë dokumentin e amendamentit që solli ndryshimin në fjalë, për t’u njohur me propozuesin e tij.
Në përgjigjen zyrtare, Kuvendi i tha Faktojes se propozimi kishte ardhur nga deputeti socialist Plarent Ndreca.
Kjo faktohet edhe në dokumentacionin e dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë. Në procesverbalin e mbledhjes së komisionit vërtetohet se propozimi që “iu vesh” deputetit demokrat Nallbati, në fakt i takonte socialistit Plarent Ndreca.
Si lexohet qartë në procesverbalin e mbledhjes (faqja 38), kryetarja e komisionit të ligjeve Klotilda Bushka fton deputetin Ndreca të shpjegojë propozimin e tij.
“Në pikën 2, germa “c” shfuqizohet: “Personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75, germa “a”, të Kodit të Procedurës Penale”. Bëhet fjalë për të gjithë ata persona që përfitojnë nga ulja.” – Plarent Ndreca, në Komisionin e Ligjeve, 20 shkurt 2024
Ndreca vijon duke dhënë argumentin e tij se ky ndryshim vjen me qëllim për të përmbushur parimin e “barazisë përpara ligjit”.
“Plotësisht dakord me sugjerimin” u shpreh ministri i drejtësisë Ulsi Manja. Madje, ministri Manja falenderoi Parlamentin për këtë propozim që tregon – sipas tij – kujdesin e treguar ndaj “barazisë përpara ligjit”.
“[…] vërtet janë dënuar nga Gjykata e Posaçme, por nga Gjykata e Posaçme, për shkak të lidhjes së subjekteve, ka të dënuar që jo detyrimisht janë zyrtarë të lartë dhe, nëse ne i japim mundësinë të përfitojë zbritje të dënimit një personi të dënuar nga gjykata e juridiksionit të përgjithshëm për vepra të rënda, nuk mund t’ia mohojmë të drejtën e përfitimit “zbritje nga dënimi” kësaj kategorie thjesht dhe vetëm për shkak të kompetencës së gjykatës. Dua t’ju falënderoj që Komisioni i Ligjeve është kujdesur për ta siguruar këtë barazi të trajtimit të kategorive përfituese përpara ligjit.”
– Ulsi Manja, ministër Drejtësie, Komisioni i Ligjeve 20 shkurt 2024. (faqja 39 në procesverbal)
Dezinformimi vijoi…
Pavarësisht këtij qëndrimi publik në Komisionin e Ligjeve, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja vijoi të keqinformojë mediat.
“Nuk ka patur dhe nuk ka për qëllim që nëpërmjet këtij ligji të amnistohet asnjë person i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, – u thoshte mediave ministri Ulsi Manja, në 27 shkurt, një javë pas votimit në komisionin e ligjeve.
Kjo deklaratë shkon kundër vetë deklaratave të ministrit të drejtësisë në komisionin e ligjeve, përfundimi i të cilës pasqyrohet edhe në raportin e komisionit përgjegjës për ligjin (fq 12).
Përfundim
Projektligji pë amnistinë penale u vendos në rendin e ditës së seancës parlamentare të datës 22 shkurt, por u tërhoq nga deputetët socialistë, me pretendimin se tradicionalisht ky ligj është votuar me konsesusin e opozitës.
Pavarësisht kësaj, drafti që pritet të votohet në parlament vijon të jetë në versionin e votuar nga komisioni i ligjeve, që i fal 1 vit burrave dhe 1 vit e gjysmë grave të dënuara nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndryshe nga sa deklaron ministri i drejtësisë Ulsi Manja.
Nisur nga këto të dhëna publike, deklaratat e vazhdueshme të ministrit të drejtësisë Ulsi Manja i konsiderojmë të pavërtetë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Faktoje.al