Vendosni fjalën kyçe....

Kina, Rusia dhe Irani po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta detare


Marina e Kinës, Rusisë dhe Iranit po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta këtë javë në Gjirin e Omanit, tha Pekini të hënën.

Aktivitetet ushtarake, që do të mbahen nga e hëna deri të premten, synojnë “të ruajnë bashkërisht sigurinë rajonale detare”, sipas një deklarate që ministria e Mbrojtjes e Kinës publikoi në platformën e mediave sociale WeChat.

“Kina do të dërgojë… shkatërruesin me raketa të drejtuara Urumqi, fregatën Linyi me raketa të drejtuara dhe anijen e furnizimit gjithëpërfshirës Dongpinghu, për të marrë pjesë në stërvitje”, shtohet në deklaratë, pa dhënë më shumë detaje.

Stërvitjet në zonë u mbajtën në mars të vitit të kaluar midis këtyre shteteve dhe quheshin “Security Bond 2023″.

Raundi i stërvitjeve të përbashkëta të këtij viti vjen në kohën e tensioneve në rritje në rajon, teksa lufta në Gazë po vazhdon dhe rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, në Jemen kanë nisur një mori sulmesh ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Lufta në Rripin e Gazës nisi pas sulmeve të Hamasit – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në jug të Izraelit më 7 tetor, kur ekstremistët palestinezë vranë afër 1.200 persona dhe rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Media shtetërore ruse raportoi se një shkëputje anijesh nga flota e Paqësorit të vendit, e udhëhequr nga kryqëzori Varyag, mbërriti në portin iranian të Chah Bahar të hënën, para stërvitjeve.

“Pjesa praktike e stërvitjeve do të zhvillohet në ujërat e Gjirit të Omanit në Detin Arabik”, raportuan agjencitë ruse të lajmeve duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.

“Qëllimi kryesor i stërvitjeve është punohet në sigurinë e aktivitetit ekonomik detar”, citohet të ketë thënë ministria./REL