Palestinezët u përgatitën për nisjen e Ramazanintnë një humor të zymtë me masa të shtuara sigurie nga policia izraelite dhe spektri i luftës dhe urisë në Gaza duke lënë në hije muajin e shenjtë normalisht festiv mysliman, ndërsa bisedimet për të siguruar një armëpushim kanë ngecur.
Mijëra policë janë vendosur nëpër rrugët e ngushta të qytetit të vjetër në Jerusalem, ku dhjetëra mijëra besimtarë priten çdo ditë në kompleksin e xhamisë Al Aksa, një nga vendet më të shenjta në Islam.
Zona, e konsideruar si vendi më i shenjtë nga çifutët që e njohin atë si Mali i Tempullit, ka qenë një pikë e nxehtë për një kohë të gjatë dhe një nga pikat fillestare të luftës së fundit në 2021 midis Izraelit dhe Hamasit, lëvizjes islamike që kontrollon Gazën.
Konflikti 10-ditor i para tre viteve është zbehur nga lufta e tanishme, e cila tani është në muajin e saj të gjashtë. Filloi më 7 tetor, kur mijëra luftëtarë të Hamasit hynë në Izrael, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë mbi 240 pengje izrareite.
Fushata e pamëshirshme e Izraelit në Gaza ka shkaktuar alarm në rritje në mbarë botën pasi rreziku në rritje i urisë kërcënon të shtojë numrin e vdekjeve që tashmë ka kaluar 31,000.
Në një mesazh për Ramazanin për myslimanët brenda dhe jashtë vendit, presidenti i SHBA-së Joe Biden u zotua të dielën të vijojë të nxisë ndihmën humanitare në Gaza, një armëpushim dhe stabilitet afatgjatë për rajonin.
“Ndërsa muslimanët mblidhen anembanë botës gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme për të çelur agjërimin, vuajtja e popullit palestinez do jetë në mendjet e shumë njerëzve. Kjo është në mendjen time gjithashtu,” tha Biden në deklaratë.
“Për ata që janë të pikëlluar gjatë kësaj kohe lufte, ju dëgjoj, ju shoh dhe ju lutem që të gjeni ngushëllim.”
Pas një kosnfuzioni muajin e kaluar kur ministri i Sigurisë Itamar Ben Gvir tha se donte kufizime për besimtarët në Al Aqsa, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se numrat e pranuar do ishin të ngjashëm me vitin e kaluar.
“Kjo është xhamia jonë dhe ne duhet të kujdesemi për të,” tha Azzam Al-Khatib, drejtor i përgjithshëm i Jerusalem Ëaqf, fondacioni fetar që mbikëqyr Al Aksa.
“Ne duhet të mbrojmë praninë e muslimanëve në këtë xhami, të cilët duhet të jenë në gjendje të hyjnë në numër të madh në mënyrë paqësore dhe të sigurt”.
Fillimi i Ramazanit varet nga vëzhgimet hënore, për palestinezët do fillojë të hënën, ndërsa do fillojë të martën në disa vende arabe dhe myslimane.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, dekorimet e zakonshme rreth qytetit të vjetër nuk janë vendosur dhe ka pasur një ton të ngjashëm të zymtë në qytetet në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, ku rreth 400 palestinezë janë vrarë në përleshjet me forcat e sigurisë ose kolonët hebrenj që nga viti fillimi i luftës së Gazës.
“Ne vendosëm këtë vit që Qyteti i Vjetër i Jeruzalemit të mos dekorohet në respekt të gjakut të fëmijëve tanë, pleqve dhe martirëve,” tha Ammar Sider, një udhëheqës i komunitetit në Qytetin e Vjetër.
Policia tha se po punonte për të siguruar një Ramazan paqësor dhe kishte marrë masa shtesë për të goditur atë që e përshkruan si infornacion provokues dhe të shtrembëruar në rrjetet e mediave sociale dhe kishte arrestuar 20 persona të dyshuar për nxitje terrorizmi.
“Policia e Izraelit do vijojë të veprojë dhe të lejojë kryerjen e lutjeve të Ramazanit në mënyrë të sigurt në Malin e Tempullit, duke ruajtur sigurinë dhe paqen në zonë”, tha policia në një deklaratë.
Për pjesën tjetër të botës myslimane, policia e Izraelit në Al Aksa ka qenë prej kohësh ndër çështjet që kanë ngjallur më shumë zemërim dhe muajin e kaluar, kreu si Hamasit Ismail Haniyeh u bëri thirrje palestinezëve që të marshojnë drejt xhamisë në fillim të Ramazanit.
Vitin e kaluar, përleshjet që shpërthyen kur policia hyri në kompleksin e xhamisë tërhoqi dënimin nga Liga Arabe, si dhe nga Arabia Saudite, me të cilën Izraeli kishte kërkuar të normalizonte marrëdhëniet diplomatike, duke zgjeruar shtytjen e tij për të ndërtuar lidhje me fuqitë rajonale, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe.
SHPRESAT E ARMËPUSHIMIT
Shpresat për një armëpushim, që do kishte lejuar që Ramazani të kalonte në mënyrë paqësore dhe do të mundësonte kthimin e të paktën disa prej 134 pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza, duket se janë zhgënjyer nga ngecja e bisedimeve në Kajro.
Një zyrtar i Hamasit i tha Reuters se grupi ishte i hapur për më shumë negociata, por, për aq sa ai e dinte, nuk ishin caktuar data për takime të mëtejshme me ndërmjetësit në Kajro.
Presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq Mirjana Spoljaric diskutoi gjendjen humanitare me Ismael Haniyeh, kryetar i zyrës politike të Hamasit, në një vizitë në Katar të dielën. Ajo u takua gjithashtu me zyrtarë të Katarit, si pjesë e përpjekjeve të grupit për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me të gjitha palët, tha KNKK.
Në rrënojat e vetë Gazës, ku gjysma e popullsisë 2.3 milionëshe është e shtrydhur në qytetin jugor të Rafahut, shumë prej të cilëve jetojnë nën tenda plastike dhe përballen me mungesë të madhe ushqimi, gjendja është e zymtë.
“Nuk bëmë përgatitje për të mirëpritur Ramazanin sepse kemi agjëruar tash e pesë muaj,” tha Maha, një nënë e pesë fëmijëve, e cila normalisht do ta kishte mbushur shtëpinë e saj me dekorime dhe do ta kishte pajisur frigoriferin e saj me furnizime për festimet e iftarit në mbrëmje kur njerëzit çelin agjërimin.
“Nuk ka ushqim, ne kemi vetëm disa ushqime të konservuara dhe oriz, shumica e artikujve ushqimorë shiten me çmime të larta të cilat nuk i kapim dot,” tha ajo përmes aplikacionit chat nga Rafah, ku po strehohet me familjen e saj.
Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë palestineze të OKB-së për refugjatët UNRWA, tha në një postim në X se muaji i Ramazanit duhet “të sjellë një armëpushim për ata që kanë vuajtur më shumë”. Frika e ankthi mbizotërojnë mes kërcënimeve për një operacion ushtarak në Rafah.
Në qytetin jugor të Gazës, Al-Mawasi, zyrtarët palestinezë shëndetësorë thanë se 13 persona u vranë në një sulm ushtarak izraelit në një zonë me tenda ku mijëra njerëz të zhvendosur po strehoheshin.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm izraelit.
Në Bregun Perëndimor, i cili ka parë dhunë rekord për më shumë se dy vjet dhe një rritje të mëtejshme që nga lufta në Gaza, rreziku është gjithashtu i lartë, me Jenin, Tulkarm, Nablus dhe qytete të tjera të paqëndrueshme të përgatitura për përleshje të mëtejshme.
Në Izrael, frika nga përplasja me vetura ose sulmet me thikë nga palestinezët kanë çuar gjithashtu në përgatitje të shtuara të sigurisë.
Për shumë banorë të Gazës, ka pak alternativë veç shpresës për paqe.
“Ramazani është muaj i bekuar edhe pse ky vit nuk është si çdo vit, por jemi të palëkundur dhe të durueshëm dhe muajin e Ramazanit do ta presim si zakonisht, me zbukurime, këngë, me lutje, me agjërim”, tha Nehad El- Jed, e cila u zhvendos me familjen e saj në Gaza.
“Ramazanin e ardhshëm, ne dëshirojmë që jeta në Gaza të kthehet, shpresojmë se i gjithë shkatërrimi dhe rrethimi në Gaza do ndryshojnë dhe të gjithë do kthehen në një gjendje më të mirë.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani