Vendosni fjalën kyçe....

Vendbanimet e reja izraelite në Bregun Perendimor krim lufte – Zyrtari i OKB-së


Vendbanimet e reja izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar po rriten me ritëm të lartë, ka paralajmëruar Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.

Zyrtari i lartë i OKB-së ka paralajmëruar se ndërtimi dhe zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve përbën transferimin nga Izraeli të popullsisë së tij civile në territoret që ai pushton, gjë që, përsëriti ai, është një krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar.

Duke komentuar të premten mbi një raport që do t’i paraqitet Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë në fund të marsit, ai shtoi se vendbanimet rrezikojnë të eliminojnë çdo mundësi praktike të një shteti palestinez.

“Bregu Perëndimor është tashmë në krizë. Megjithatë, dhuna e kolonëve dhe shkeljet e lidhura me vendbanimet kanë arritur nivele të reja tronditëse dhe rrezikojnë të eliminojnë çdo mundësi praktike të krijimit të një shteti palestinez të zbatueshëm”, tha Turk.

Në përgjigje të deklaratës, misioni diplomatik i Izraelit në Gjenevë tha të premten se raporti duhet të kishte përfshirë vdekjen e 36 izraelitëve të regjistruar në vitin 2023, duke akuzuar Zyrën e Komisionerit të Lartë për anashkalimin e humbjeve që pëson vendi.

Raporti prej 16 faqesh, i cili bazohet në mbikëqyrjen e vetë OKB-së së bashku me burime të tjera, regjistron 24,300 njësi të reja banimi izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë një periudhe njëvjeçare deri në fund të tetorit 2023. Shifra thuhet se shënon rekordin më të lartë që nga fillimi i mbikëqyrjes në vitin 2017.

Sipas dokumentit, kishte pasur një rritje drastike në intensitetin, ashpërsinë dhe rregullsinë e dhunës së kolonëve izraelitë dhe të shtetit kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, veçanërisht që nga 7 tetori i vitit të kaluar, kur grupi militant Hamas sulmoi Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë pengje më shumë se 200. Izraeli u përgjigj duke i shpallur luftë Hamasit dhe duke nisur një operacion ushtarak në Gaza.

Në shkurt, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Uashingtoni ishte i zhgënjyer me planin e Izraelit për të ndërtuar mbi 3,300 vendbanime të reja në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke shtuar se zhvillimi i mundshëm do ishte “jo në përputhje” me ligjin ndërkombëtar.