Vendosni fjalën kyçe....

Vodhën 14 kuaj dhe një kamion, arrestohen katër persona në Dropull


Policia ka arrestuar katër persona të cilët pak ditë më parë vodhën 14 kuaj dhe kamionin me të cilin transportoheshin ata.

Sipas njoftimit të policisë, dy nga të arrestuarit ishin me precedentë të mëparshëm kriminalë për vjedhje.

 

Njoftimi:

Dropull/Puna hetimore profesionale e specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër zbardh vjedhjen e kryer më datë 06.03.2024, në Qafë Muzinë, dhe identifikon 4 autorët e dyshuar.

Kapen në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe vihen në pranga 4 autorët e dyshuar.

2 nga të arrestuarit, me precedent të mëparshëm kriminal për vjedhje të kryer në bashkëpunim.

Sekuestrohen 14 kuajt e vjedhur dhe kamioni me të cilin këta shtetas i transportuan kuajt, në drejtim të Sarandës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas kallëzimit të depozituar nga një shtetase, se i kishin vjedhur disa kuaj, në biznesin e saj, në Qafë Muzinë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe i bashkëpunimit me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

– R. Ç., 40 vjeç, banues në Lukovë, Sarandë;

– A. R., 22 vjeç, banues në fshatin Shën Vasil, Himarë;

– N. M., 39 vjeç dhe R. Th., 36 vjeç, të dy banues në fshatin Nivicë, Himarë, të dy me precedent të mëparshëm kriminal për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 06.03.2024, kanë vjedhur në një biznes në Qafë Muzinë, 14 kuaj, të cilët më pas i kanë transportuar me një kamion, në drejtim të Sarandës.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kuajt e vjedhur dhe kamioni.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.