Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: Unë përfaqësoj PD-në, të vetmen parti të regjistruar në regjistrat e shtetit


Enkelejd Alibeaj pohoi sot se Komisioni i Reformës Zgjedhore është kërkuar nga PD-ja zyrtare.

Deputeti i grupit të Bashës tha se selia blu ka kërkuar të përmirësojë rregullat e lojës për zgjedhjet e ardhshme dhe se çdo veprim e ka bërë në interes të publikut.

“Komisioni i Reformës Zgjedhore është kërkuar nga PD, nga kjo sigël apo vulë, këtu e dy vite më parë, atëherë kur Berisha dhe Rama nuk e donin, por ka qenë këmbëngulja e PD dhe Bashës që e kërkoi si një nevojë për të përmirësuar rregullat e lojës në zgjedhje. Unë jam dakord që të marr qortimet e kësaj bote nëse kërkesat e ofruara do ishin amorale, do ishin për interesin, për karrigen tonë, s’do shkonin në interesin e publikut. Listat e hapura nuk janë gjë tjetër veçse një rikthim i sistemit mazhoritar, qytetarët të zgjedhin përfaqësuesin e tyre, deputeti i tyre të mos lëvizë pozicionet e veta politike sipas interesit apo nevojës për tu bërë edhe njëherë deputetë.”­ – tha Alibeaj.

Demokrati përsëriti kërkesat e PD-së për votën e emigrantëve, për votimin e numërimin elektronik në mbarë vendin.

Alibeaj theksoi se ai përfaqëson PD-në, të vetmen parti të regjistruar zyrtarisht.

“Kemi kërkuar votën e diasporës, Shqipëria është e përgjysmuar. Çdo sistem zgjedhor pa votën e diasporës është i pavlefshëm. Kemi kërkuar që vota e shqiptarëve të jetë e njëjtë, si në veri si në jug. Votimin dhe numërimin elektronik. Unë jam përfaqësues i PD, i së vetmes parti politike të regjistruar në regjistrat e shtetit shqiptar, forca e dytë në 2021. Sipas rregullave funksionale i takon përfaqësimi partisë, por atyre që qëndrojnë në këtë sigël.” – shtoi Alibeaj.