Vendosni fjalën kyçe....

ÇENGEL MBI KOKË – Si u shantazhua Berisha ditën e marrëveshjes me Ramën


Pikërisht në ditën kur u duk sikur negociatat e grupit Berisha-Bardhi me qeverinë po jepnin efekt pozitiv për Foltoren, Gjykata e Lartë ka marrë një vendim që transferon hetimin e dosjes së 21 janarit duke ja dhënë SPAK-ut si kompetencë.

Ky zhvillim duket si një çengel mbi kokën e liderit të Foltores, Berishës.

Artan Hoxha, gazetari ndoshta më protagonist i dosjes së 21 janarit, në një prononcim për Hashtag.al e quajti këtë vendim të vonuar por ndërkohë e komentoi dhe në lidhje me raportin e forcave dhe kontekstit të ujdisë politike.

“Berisha është pa imunitet tani që flasim, atë mund ta thërrasë SPAK-u dhe Dumani në çdo kohë. Madje Lulzim Basha ka shumë në dorë për t’i bërë dëm Berishës nëse shkon e dëshmon të vërtetën kundër tij. Nuk e di sa ‘këllqe’ do ketë zoti Basha për ta bërë këtë gjë, por në dorë e ka në këtë moment”, – komentoi Hoxha.

Duket se “çengelin” mbi kokën e Berishës, e ka kuotuar maksimalisht dhe Mero Baze i TemA-s, i cili shkruan me kompetencën e teknologut politik që njeh paraprakisht lëvizjet e mazhorancës.

Baze i ka kushtuar editorialin këtij zhvillimi, duke vënë theksin hetimi i Berishës për 21 janarin, madje duke e quajtur dhe si prova e zjarrit për SPAK-un këtë çështje.

“Sot është bërë një hap i vogël në rikthimin e këtij shansi. Derisa ditën që drejtësia të shqiptojë ndëshkimin e Berishës si fajtor për këtë krim, ende nuk mund të themi se drejtësia e re është rikthyer në Shqipëri. 21 janari nuk është ndëshkim për Sali Berishën, por test për të prekur dhe ndjerë, se drejtësia e re ka ardhur”, shkruan Baze.

Nga ana tjetër Andi Bushati, një kritik i ashpër i qeverisë Rama dhe drejtues medias “Lapsi.al” e cila ka dhe një betejë të fituar në Strasburg me SPAK-un, ka injoruar thuajse tërësisht vendimin e Gjykatës së Lartë për ri-hetim në SPAK të 21 janarit.

Bushati thotë se Foltorja e Berishës ka përfituar shumë pak nga marrëveshja me dy komisionet hetimore që ka arritur të marrë.

“Çfarë duhet vula nëse atë e fiton në këmbim të heshtjes për bredhjet e Ramës me çarter?
Përse vlen njohja de facto e kryetarit non grata, nëse ajo bëhet në dëm të transparencës për investimet strategjike?
Ç’kuptim ka legalizimi zyrtar i shumicës opozitare, nëse kjo shumice nuk kërkon llogari për mbi 100 milionët e fluturuara të Bechettit?
Ç’fitore quhet të nxjerrësh nga loja një kalë të ngordhur si Basha, kur bën paqe me faktin se s’do thërresësh të deponojnë para deputetëve, Ramën, Duçkën, Agron Nezën?”, –
pyet Bushati.

Ujdia e lidhur nga grupi Berisha-Bardhi me mazhorancën, i hap rrugën një bashkëpunimi institucional mes palëve, ku valencë merr pikërisht grupi i Berishës që posedon ndërkohë dhe mbështetjen me vota në terren, në ndryshim nga grupi i Bashës, që ka pëlqimin e amerikanëve por nuk ka forcë në terren.

Mirëpo nga ana tjetër, duket se ndërkombëtarët valencën ja kanë dhënë Gazmend Bardhit dhe jo Berishës, pasi këtij të fundit ditën e marrëveshjes i ka shkuar dhe dosja e 21 janarit në SPAK, ndërsa nuk duket asnjë e dhënë në horizont se kërkesa e amerikanëve që Berisha të kalojë në “pension të detyrueshëm” të ketë ndryshuar.

Një element grotesk i këtyre zhvillimeve janë komentet e disa deputetëve të Foltores të cilët janë shprehur se marrëveshjen nuk e kanë lidhur me Ramën, por me ndërkombëtarët, duke nënkuptuar amerikanët.

Ky është një paradoks, sepse thuhet nga të njëjtët njerëz që deri dje akuzonin SPAK-un si vegël të Ramës duke injoruar me qëllim ndikimin amerikan.

Ndaj ditën e marrëveshjes politike me Ramën, duket e çuditshme që këta përfaqësues thonë se marrëveshjen e paskan bërë me ndërkombëtarët, por nuk u paskan kërkuar ndërkombëtarëve që të heqin SPAK-un nga ndikimi i supozuar i Edi Ramës. / Hashtag.al