Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë vendos, “21 Janari” do hetohet nga SPAK


Gjykata e Lartë vendosi t’ia japë SPAK-ut hetimin e Dosjes së ‘21 Janarit’.

Rekursi ishte bërë nga Rajmonda Nika, e veja e Aleks Nikës i cili ishte një nga katër qytetarët që u vranë gjatë protestës së 21 janarit 2011.

Sipas Gjykatës së Lartë, SPAK-u “duhej të regjistronte procedimin dhe duhej të kishte kthyer përgjigje nëse kemi elemente të veprës penale apo jo”, thuhet në argumentimin e gjyqtarëve..

Më herët Rajmonda Nika ka deklaruar se për vrasjen e të shoqit do regjistrojë procedim penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha e ish-kreut të Gardës Ndrea Prendi.

Trupi gjykues i Gjykatës së Lartë që mori vendimin e sotëm përbëhej nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni dhe e mori vendimin pas dëgjimit të pretendimeve të palëve.

Familja Nika kishte kërkuar shfuqizimin e vendimeve të mëparshme dhe ripahjen e hetimit për vrasjen e ndodhur para kryeministrit gjatë protestës së organizuar nga PS-ja më 21 janar 2011. Të vrarë mbetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj e Hekuran Deda.