Investitorët i kanë kërkuar pronarit të Zara-s, Inditex të ndjekë hapat e konkurrentëve H&M e Primark për të plotësuar listën e furnizuesve publikë në mënyrë që ata të mund të vlerësojnë më mirë çdo rrezik të zinxhirit të furnizimit.
Inditex bën pjesë mes shitësve të mëdhenj të veshjeve që nuk ka publikuar se nga cilat fabrika i merr furnizimet.
Rregullatorët dhe investitorët duan transparencë më të madhe. Shitësit me pakicë të veshjeve, në veçanti, janë nën presion për të provuar se nuk ka punë të detyruar në zinxhirët e tyre të furnizimit dhe se punëtorët e veshjeve paguhen me paga të mira.
Grupi kinez i modës Shein është vënë nën vëzhgim nga ligjvënësit amerikanë mbi rreziqet e zinxhirit të furnizimit përpara planeve për një listim në SHBA.
Në Bashkimin Evropian, mosmarrëveshjet kanë bllokuar rregullat e propozuara që do t’u kërkonin të gjitha kompanive të mëdha të zbulojnë nëse zinxhirët e furnizimit dëmtojnë mjedisin ose përdorin punën e fëmijëve. Sanksionet e propozuara për mospërputhje mund të përfshijnë gjoba prej 5% të të ardhurave.
Markat e modës dhe shitësit me pakicë, duke përfshirë Adidas, H&M, Hugo Boss, M&S, Nike, Primark dhe Puma publikojnë tashmë lista të hollësishme të furnizuesve, duke përfshirë emrat dhe adresat e fabrikave.
Inditex publikon çdo vit numrin e furnitorëve, nga e ka burimin në 12 vende kryesore, por nuk jep informacion për fabrikat individuale.