Marina e Kinës, Iranit dhe Rusisë kanë filluar stërvitjet e përbashkëta në Gjirin e Omanit, e cila është stërvitja e pestë e përbashkët ushtarake e zhvilluar gjatë viteve të fundit që kur kanë nisur sulmet e Houthi të Jemenit ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se stërvitjet do të vazhdojnë deri të premten dhe do përfshijnë anije luftarake dhe aviacioni do të fokusohet në mbrojtjen e aktivitetit ekonomik detar.
Mediet shtetërore raportuan se një grup anijesh nga Flota e Paqësorit të Rusisë, të udhëhequr nga kryqëzori Varyag, mbërriti në portin iranian të Chabahar të hënën përpara stërvitjeve që do të mbikqyren nga përfaqësues të marinës së Azerbajxhanit, Indisë, Kazakistanit, Omanit, Pakistanit dhe Afrikës së Jugut.
Nga ana e saj, ministria e mbrojtjes në Kinë tha se stërvitjet të quajtura “Rripi i Sigurisë Detare 2024”, kishte për qëllim “ruajtjen e përbashkët të sigurisë rajonale detare”.
“Kina do të dërgojë shkatërruesin e raketave të drejtuar Urumqi, fregatën me raketa të drejtuara Linyi dhe anijen e furnizimit gjithëpërfshirës Dongpinghu për të marrë pjesë në stërvitje”, shtoi ministria në një deklaratë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Media shtetërore iraniane, ndërkohë, raportoi se qëllimi i stërvitjes është të forcojë sigurinë e tregtisë ndërkombëtare detare, luftimin e piraterisë dhe terrorizmit detar.
Stërvitjet vijnë pasi një koalicion detar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka operuar në ujërat e Detit të Kuq që nga dhjetori 2023 duke u përpjekur të kundërshtojë sulmet Houthi.
Rreth 20,000 trupa nga 13 anëtarë të NATO-s po kryejnë stërvitje në veri të Suedisë si dhe fqinjëve të saj Finlandës dhe Norvegjisë.
Stërvitja nordike është pjesë e stërvitjeve më të gjera të quajtura Steadfast Defender 24, më e madhja në dekada për aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA, ku marrin pjesë deri në 90,000 trupa ushtarakë, shkruajnë mediat e huaja.