Vendosni fjalën kyçe....

Pjesa e tregut të bankave më të mëdha pësoi rënie në 2023-shin


Përqendrimi i tregut bankar te bankat më të mëdha pësoi rënie vitin e kaluar.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pesha e dy bankave më të mëdha ndaj totalit të aktiveve të sektorit vitin e kaluar zbriti në 41.23%, nga 42.2% që kishte qenë një vit më parë.

Ndërkohë, edhe pesha e tre bankave më të mëdha të sektorit ka pësuar rënie të mëtejshme. Në fund të vitit 2023, tre bankat më të mëdha të sektorit zotëronin 56.82% të totalit të aktiveve të sektorit, në rënie nga niveli prej 57.46% që raportohej në fund të vitit 2022.

Në vitin 2018, sektori bankar nisi një cikël konsolidimi që e uli gradualisht numrin e përgjithshëm të bankave. Nga 16 banka që vepronin në treg në vitin 2018, aktualisht numri i tyre është ulur në 11.

Krahasuar me vitin 2018, pjesa e tregut të dy bankave më të mëdha ka rënë me 3.7 pikë përqindje, ndërsa pjesa e tregut të tre bankave më të mëdha ka rënë me 0.8 pikë përqindje.

Me gjithë uljen e numrit të bankave në treg gjatë pesë viteve të fundit, treguesit e përqendrimit të tregut ngelen pranë pragut të konkurrueshmërisë, mbështetur në metodat teorike të vlerësimit. Mënyra më e zakonshme për të matur shkallën e përqendrimit të tregut është Indeksi Herfindahl-Hirschmann (HHI), që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Pragu poshtë të cilit një treg përgjithësisht pranohet si konkurrues është 1500 ose 0.15.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar treguesi HHI, i matur sipas totalit të aktiveve, ishte në nivelin 0.14, në rënie prej nivelit prej 0.15 të fundit të vitit 2022.

Shumë ekspertë mendojnë se një konsolidim i mëtejshëm i sektorit nuk mund të përjashtohet në një horizont afatmesëm. Rritja e fortë e kërkesave për kapital dhe nevojat e mëdha për investime, të lidhura sidomos me teknologjinë, mund ta vështirësojnë arritjen e eficiencës për bankat e përmasave të vogla.

Hyrja e investitorëve të rinj dhe bashkimet që krijuan banka më të mëdha nga përmasat deri në këtë fazë kanë dhënë një efekt pozitiv në drejtim të rritjes së oreksit për rrezik dhe në kthimin e një cikli rritës të kredisë për ekonominë. Për vitin 2023, kredia e re arriti gjithashtu vlerën rekord të pothuajse 319 miliardë lekëve, në rritje me 14.5% krahasuar me vitin 2022.

Bashkimet mes bankave ekzistuese kanë ulur numrin e përgjithshëm të bankave, por kanë krijuar banka më të shëndetshme dhe më konkurruese. Sipas të dhënave paraprake nga Shoqata Shqiptare e bankave, të gjithë bankat e mbyllën me rezultat financiar pozitiv vitin 2023, ndërsa fitimi total në nivel sektori arriti vlerën rekord prej 28.5 miliardë lekësh, në rritje me 19.5% krahasuar me vitin 2022.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor