Të tjera hollësi kanë dalë nga ngjarja me dy të plagosur në Shkodër.
Autorët e plagosjes dyshohet se 30 plumba kanë zbrazur ndaj Gjergj Ndershtiqajt dhe Gjon Nikës. Shënjestra e atentatit dyshohet se ka qenë Gjon Nika.
Autorët dyshohet se kanë djegur dy automjete ndërsa mendohet se janë përdorur tre automatikë kallashnikov.
Dy të plagosurit po marrin trajtim në spitalin Rajonal, ndërsa në Shkodër kanë mbërritur Forcat RENEA, kryepolici Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtori i Krimeve të Rënda, Neritan Nallbati.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, për kapjen e autorëve, në afërsi të vendit të ngjarjes, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Renault”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve të para, do të ketë informacion më të detajuar për këtë rast.
Gjergj Ndërshtiqa që mbeti i plagosur në atentatin e ndodhur në Grudë të Re në Shkodër është vëllai Marjan Ndershtiqajt drejtor rajonal i Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Shkodër. Ndërkaq, i plagosuri i dytë është kunati i tij, Gjon Nika.