Vendosni fjalën kyçe....

Rama reagon për vendimin e Gjykatës së Lartë: Rihap rrugën e drejtësisë për të gjetur autorët e krimit të 21 janarit


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë e cila vendosi që dosja e “21 Janarit” të hetohet nga SPAK-u.

Sipas Ramës kthimin në jetë i dosjes së 21 janarit, nxit shpresën dhe drejtësinë në mendjen e shumë shqiptarëve duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë dhe zbardhjes së një ngjarjeje të errët të historisë së vendit tonë.

Ky vendim sipas Kryeministrit shënon një moment të rëndësishëm për të gjithë ata që kanë punuar me vendosmëri për të sjellë ndryshim dhe për të kërkuar drejtësi.

Rama thekson se me këtë vendim rihapet rrugën për të zbuluar dhe për të ndëshkuar autorët e krimit të 21 janarit, duke e bërë një hap të rëndësishëm drejt një drejtësie të drejtë dhe transparente.

Vendimi i Gjykatës së Lartë sot për kthimin në jetë të dosjes së përgjakur të 21 janarit, ka kthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve, se ajo dosje e një krimi të egër shtetëror do të dilte më nga varri i drejtësisë së kalbur shqiptare! Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë ndaj abuzimit ekstrem me forcën e pushtetit ekzekutiv.

Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash, për kontributin unik që Partia Socialiste dha në shembjen e Sistemit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për durimin e pakicës sonë të mbetur vendosmërisht me shpresë tek drejtësia, në ballafaqimin e vështirë me mllefin legjitim të shumë të zhgënjyerve nga zvarritja e pafundme deri në varrosje e kësaj çështjeje; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm një drejtësi e re dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë.

Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që e humbën shpresën në këto vite të gjata varrosjeje të asaj dosjeje dhe nuk i kursyen fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS: Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët”-shkruan Rama në rrjetin social “X”.