Nga Lola García-Ajofrín
Telefoni i Alexandru Flenchea-s ka rënë pa pushim që nga java e kaluar.
“Unë nuk mund t’ju them se sa telefonata kam marrë në dy ditët e fundit si nga shtypi ashtu edhe nga thjesht të njohur,” i tha Flenchea Al Jazeera, me telefon.
Njerëzit vijojnë ta pyesin nëse është e sigurt të qëndrosh në Moldavi.
“Është thjesht çmenduri,” tha ai.
Flenchea drejton një shoqatë në Kishinau, kryeqyteti i Moldavisë.
Ai ka bërë telefonata pafund që kur Ghenadie Ciorba – një figurë opozitare në Transnistria – sugjeroi së fundmi se separatistët mund të bëjnë thirrje për një referendum mbi aneksimin e rajonit nga Rusia.
Të mërkurën, thirrja e Ciorbas nuk erdhi në Kongresin e brezit të ngushtë të tokës që njihet ndërkombëtarisht si territor moldav, por i mbështetur nga Rusia.
Megjtihatë “Kongresi i deputetëve të të gjitha niveleve” në kryeqytetin e rajonit separatist miratoi një rezolutë që kërkonte mbështetjen e Moskës për të shmangur një krizë të dukshme ekonomike, për të cilën ata fajësuan Moldavinë.
“Ekziston presion social dhe ekonomik mbi Transnistrian, që bie ndesh me parimet dhe qasjet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe tregtinë e lirë”, thuhet në rezolutë.
Transnistria ka qenë nën kontrollin e autoriteteve separatiste që nga viti 1992 dhe është shtëpia e rreth 470,000 njerëzve.
Autoritetet moldave e kanë hedhur poshtë kërkesën e saj si një veprim propagandistik dhe kanë minimizuar ngjarjet e fundit, duke thënë se nuk ka rrezik përshkallëzimi.
Takimi i së mërkurës u zhvillua vetëm një ditë para fjalimit vjetor të presidentit rus Vladimir Putin në Asamblenë Federale Ruse.
E gjendur mes Moldavisë dhe Ukrainës, Transnistria nuk njihet nga asnjë anëtar i Kombeve të Bashkuara si një entitet i pavarur.
Rreth 1,500 trupa ruse janë të vendosura në rajonin që është shtëpia e rusëve, ukrainasve dhe moldavëve.
“Njerëzit nga Transnistria kanë pasaportën e tyre që nuk vlen askund”, tha 36-vjeçarja Cristina Afinoghenova, e cila është me origjinë nga Transnistria dhe tashmë jeton në Kishinau.
“Si rezultat, shumë marrin dokumente të tjera”, shtoi ajo.
Shumica e transnistrianëve kanë pasaporta moldave, ndërsa disa kanë letra ruse dhe ukrainase.
Afinoghenova, e cila ishte gjashtë vjeç kur rajoni shpalli pavarësinë, kujtoi diskutimet “veçanërisht për gjuhën”, duke argumentuar “nëse gjuhës moldave i mungonte prestigji” apo “nëse rusishtja konsiderohej e këndshme”.
Konflikti mbi Transnistrian në vitin 1989 ishte për “çështjen e gjuhës”, sipas Anatoli Dirun, kreu i Shkollës së Studimeve Publike të Tiraspolit, kryeqyteti i rajonit.
Transnistria ishte pjesë e asaj që njihej si Republika Moldaviane brenda Bashkimit Sovjetik.
Megjithatë, me shpalljen e ‘Perestrojkës’, lëvizjes së reformës politike dhe financiare të nisur nga udhëheqësi rus Mikhail Gorbachev, rritja e lëvizjeve kombëtare filloi në shumë republika sovjetike.
“Moldavia nuk bëri përjashtim,” tha Dirun.
Më pas, parlamenti i Moldavisë në vitin 1990 vendosi që e vetmja gjuhë shtetërore në republikë do të ishte moldavishtja me shkrimin latin.
Transnistria, historikisht nën sovranitetin e Perandorisë Ruse, e cila sapo i ishte bashkuar Besarabisë (Moldavisë) në 1940, “nuk ishte dakord me këtë vendim”, shtoi Dirun.
“Pasi kërkesat e tyre u shpërfillën, popullsia e Transnistrisë organizoi një grevë në shkallë të gjerë”, shpjegoi ai.
Rrip toke midis Kishinaut dhe Kievit
Lufta në Ukrainë ka polarizuar opinionin në të dy anët e lumit Dniestër. Dirun beson se që nga viti 2014, mes konfliktit të Donbasit dhe aneksimit rus të Krimesë, “Ukraina ka ndryshuar seriozisht qëndrimin e saj ndaj Transnistrisë, duke i konsideruar trupat ruse të vendosura atje si një kërcënim për sigurinë e saj kombëtare”.
Pas shkurtit të vitit 2022, pas pushtimit të Rusisë ndaj fqinjit të saj, Ukraina mbylli kufirin e saj me Transnistrinë.
“Tiraspol e ka gjetur veten të mbërthyer si darë midis Kishinaut dhe Kievit”, tha Dirun.
Agresioni rus në Ukrainë ka ndikuar gjithashtu në negociatat, tha një zëdhënës i qeverisë së Moldavisë i një departamenti të përqendruar në politikat e riintegrimit.
“Tani për tani është e pamundur mbajtja e takimeve pasi dy nga aktorët e saj shumë të rëndësishëm, Ukraina dhe Rusia, nuk mund të ulen në të njëjtën tryezë për të biseduar”, tha zëdhënësi.
Sipas Afinoghenova, ka fëmijë dhe prindër në Transnistria “të cilët kanë pikëpamje të ndryshme për luftën në Ukrainë dhe nuk takohen e flasin më me njëri-tjetrin.
Vështirësitë ekonomike
Mbyllja e kufirit me Ukrainën, bashkë me një vendim të Moldavisë për të taksuar mallrat e importuara në rajonin separatist, ka rritur çmimet e mallrave bazë, tha Afinoghenova, prindërit dhe të afërmit e së cilës jetojnë në Transnistria.
Sipas Dirun, lufta ka tronditur ekonominë e Transnistriaë “por gjithashtu ka detyruar udhëheqjen e Transnistrias të marrë një pozicion më të përmbajtur” dhe “të mos shfaqë pikëpamjet e saj pro-ruse”.
Lufta në Ukrainën fqinje e ka bërë gjithashtu Transnistrian “një terren edhe më të madh për fushata dezinformuese”, tha Anastasia Pociumban, një studiuese në Qendrën për Rendin dhe Qeverisjen në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.
Një sfidë tjetër “ka qenë e lidhur me furnizimin me energji elektrike”, shtoi Pociumban.
Moldavia dikur ishte një nga vendet evropiane më të varura nga energjia ruse. Deri në vitin 2023, ajo u bë e pavarur nga gazi rus, por vazhdon të mbështetet në energjinë elektrike me burim nga rajoni separatist i Transnistrias.
Pociumban argumentoi se “varësia e mëparshme e plotë e Moldavisë nga Rusia dhe gazi dhe energjia elektrike nga Transnistria u përdor si një dobësi për shantazhimin nga ana e Rusisë”.
Në bregun tjetër të lumit Dniestër, në Moldavi, “kjo luftë e ka polarizuar edhe më shumë popullsinë”, tha Alexandru Flenchea.
Megjithatë, “nëse ka një gjë që të gjithë moldavët kanë të përbashkët, është se pothuajse të gjithë ne nuk duam luftë”, shtoi ai.
Moldavisë iu dha zyrtarisht statusi i kandidatit nga Bashkimi Evropian në qershor 2022, një proces në të cilin blloku ende beson.
“E ardhmja evropiane e Moldavisë nuk mund të mbahet peng nga konflikti”, tha për Al Jazeera Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Al Jazeera
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani