Dy të rinjtë ndaj të cilëve u qëlluan mbi 30 plumba në një atentat mbrëmjen e djeshme në Grudë të Re të Shkodrës, kanë dëshmuar në polici se nuk kanë dijeni pse janë qëlluar dhe se nuk kanë përplasje me askënd.
Të rinjtë ndaj të cilëve u qëllua me breshëri janë Gjergj Ndërshtiqaj, student në Akademinë e Sigurisë dhe Gjon Nika.
28-vjeçari Ndërshtiqaj është vëllai i drrejtorit të DRSHTRR-së Shkodër Marjan Ndërshqiqaj ndërsa 30-vjecari Nika është kunati.
“Sapo zbritëm nga makina dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan me armë. Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të shpëtojmë. Derisa janë larguar qëndruam pas makinës.” – kanë dëshmuar ato.
Deri tani Policia e Shkodrës ka shoqëruar mbi 20 persona për t’i pyetur për ngjarjen.
Në vendin e atentatit janë gjetur mbi 80 gëzhoja automatiku. Pak më pas janë gjetur të djegura makina e autorëve të dyshuar dhe makina e dy ë rinjve.