Ministria e Jashtme hungareze thirri të martën ambasadorin amerikan David Pressman për shkak të komenteve të presidentit Biden ndaj kryeministrit Orban ‘se ai dëshironte të drejtonte një diktaturë’.
“Meqenëse një gënjeshtër e tillë është thënë në lidhje me kryeministrin hungarez, ne thirrëm në ministri ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, i cili ishte sot këtu”, tha ministri i Jashtëm Peter Szijjarto.
Szijjarto tha se zëvendësministri Levente Magyar priti ambasadorin amerikan.
“Ne i kërkuam ambasadorit që të paraqesë citatin dhe kohën dhe vendin ku dyshohet se kryeministri ka bërë një deklaratë të tillë”, tha Szijjarto.
Hungaria “nuk është e detyruar të pranojë gënjeshtra nga askush, edhe nëse ai person është presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
Gjatë një ndalese të fushatës presidenciale të premten në shtetin amerikan të Pensilvanisë, Biden tha se Orban “nuk mendon se demokracia funksionon dhe po kërkon diktaturë”.
Orban është kreu i parë evropian që mbështet publikisht kandidaturën e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024 në SHBA.