Vendosni fjalën kyçe....

Mekanizmi i ardhjes në pushtet: Mësime nga operacioni “Car Wash”


Nga Olsi Bakalli

Në sferën e intrigave politike, pak narrativa përputhen me ngjarjet emocionuese të “Mekanizmit”. Ky triller politik brazilian, frymëzuar nga historia e vërtetë e operacionit “Car Wash”, shkon thellë në ujërat e turbullt të korrupsionit, luftës për pushtet dhe përpjekjes së pandërprerë për drejtësi. Ngjarjet zhvillohen në Brazilin e vitit 2014. Një grup hetuesish zbulojnë një rrjet të gjerë të korrupsionit që përfshin kompaninë shtetërore të naftës Petrobras, kompani ndërtimi, politikanë, biznesmenë dhe zyrtarë qeveritarë. Seriali thekson kompleksitetin e politikës braziliane, zbatimin e ligjit, dhe përpjekjen për drejtësi ndërsa korrupsioni përhapet gjerësisht. Përmes episodeve, trajtohen çështje të rëndësishme si korrupsioni sistemik, përzierja politike, ndikimi ekonomik, sfidat ligjore, reagimi publik dhe protestat; sistemi gjygjësor dhe dënimet finale; reformat dhe masat anti-korrupsion nën integralin në kufijtë e fuqisë dhe lakmisë.

Operacioni “Car Wash” shërben si një kujtesë se si rrjeta e korrupsionit mund të kapë edhe shkallët më të larta të pushtetit. Ndërsa hetimi për zbulimin e tij, ekspozon një rrjet labirintik të marrëveshjeve dhe kërcënimeve, që trondit bazat e shoqërisë dhe politikës së çdo vendi në të cilin zhvillohen këto ngjarje, ose më saktë zbulohen ngjarje të tilla. Ky ndryshim tektonik në peisazhin politik thekson potencialin për lëvizje opozitare për të marrë pushtetin mes kaosit të skandalit dhe pakënaqësisë. Ndryshimi politik nuk është qëllimi, por mjeti që supozohet të bëjë të mundur zgjidhjen e krizave, zvogëlimin e pabarazisë dhe forcimin e institucioneve.

Teoritë ekonomike, politike dhe sociale ofrojnë informacion të vlefshëm për mekanizmat e ndryshimit të pushtetit në vende me demokraci të brishtë si Shqipëria. Përjashtimet ekonomike dhe pabarazia në rritje mund të krijojnë hapësira dhe mbështetje për lëvizje të reja opozitare, ndërsa zhgënjimi me qeverinë e tanishme rritet. Kriza financiare globale e vitit 2008 hapi rrugën për fuqi politike të reja në vende si Greqia, Italia dhe Spanja, duke sfiduar strukturat e konsoliduara të pushtetit.

Teoritë politike theksojnë rëndësinë e ndërtimit të koalicioneve dhe aleancave strategjike në navigimin e ujrave të rrezikshme të politikës elektorale. Liderët që mund të mobilizojnë efektivisht fraksione të ndryshme dhe të shprehin një vizion bindës për ndryshim kanë më shumë gjasa të ngjiten në pushtet. Dinamikat shoqërore gjithashtu luajnë një rol kryesor në përcaktimin e trajektores së ndryshimit politik. Protestat masive, lëvizjet me bazë të gjerë, dhe aktivizmi i profesionistëve tregon fuqinë e veprimeve kolektive dhe cilësore, në sfidimin e regjimeve hibride dhe plotësimin e kërkesave për më shumë reforma demokratike.

Në kontekstin e Shqipërisë, ku institucionet demokratike bashkë-ekzistojnë me gjurmë që vijnë nga autoritarizmi, rruga për në pushtet për opozitën është e mbushur me pengesa dhe mundësi. Historia e 30 viteve të fundit ofron një mozaik figurash, që të vendosura në një fushë shahu nën efektin kohë, lëvizin duke ndërruar pozicione për të mos dalë nga loja, dhe ku ngjarja më e re që mbahet mend është ardhja në pushtet e Edi Ramës para një dekade.

Qarkullimi i Elitave aq i rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë dhe demokracisë, i cili siguron perspektiva të reja, parandalon stagnacionin, promovon gjithëpërfshirjen, nxit përparimin shoqëror duke krijuar kthjellësi dhe qëndrueshmëri demokratike; nuk ndodh më. Janë të njëjtët personazhe që qarkullojnë në politikë, media, gjygjësor dhe biznes. Shpesh aftësia e tyre e vetme ështe negocimi i termave të marrëveshjeve për shkëmbim favoresh. Kemi lejuar që elitat mosqarkulluese të shkatërrojnë sistemin arsimor i cili duhej të ishte promotor i nxitjes së qarkullimit.

Për aspiruesit politikë, rruga drejt pushtetit ndodhet në mbrojtjen e interesit publik; marrjen e përgjegjësisë për evidentimin dhe denoncimin e abuzimit me fondet publike (duke analizuar çdo tender apo kontratë); transparencë në zbulimin e përfshirjes politike në skemat korruptive midis zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve; përdorimin e padurimit publik; ndërtimin e koalicionit strategjik dhe shprehjen e një vizioni të guximshëm për të iniciuar reforma strukturore të nevojshme.

Është detyrë e këtyre aspiruesve që përtej motivacioneve politike dhe përmes mobilizimit bazë, ndërtimit të koalicionit, ose fushatave të zgjuara mediatike, të zhvillojnë potencialin për ndryshim dhe të guxojnë të sfidojnë statusquon.

Mekanizmat e pushtetit janë po aq komplekse sa dhe të paparashikueshme. Megjithatë, në vazhdën e ndryshimeve politike, ekzistojnë mundësi për ndryshime transformuese. Sfida për Shqipërinë qëndron në kapjen e këtij momenti, në përdorimin e vullnetit kolektiv për ndryshim, dhe në ndërtimin e një rruge të re përpara; me individë apo grupime që edhe mund të dakortësohen në parim, por që detyra parësore e tyre duhet të jetë denoncimi i çdo kontrate korruptive e lidhur në emër të interest publik. Nuk nevojitet më shumë se sa guxim për ta bërë këtë.