Vendosni fjalën kyçe....

Nga depolitizimi i komisioneve të vota e emigrantëve, propozimet e socialistëve për ndryshimet e Kodit Zgjedhor


Ekspertët e Partisë Socialiste Eridian Salianji dhe Viktor Gumi kanë paraqitur propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që po diskutohen në tryezën e ekspertëve ve të ODIHR dhe të partive politike shqiptare.

Mes propozimeve janë depolitizimi i komisioneve zgjedhore, vota për emigrantët, transparenca e fondeve si dhe burimet shtetëore në fushatë.

Lidhur me depolitizimin e komisioneve zgjedhore socialistët kanë propozua një strukturë e re për Komisionin e Qendrës së Votimit (KQV) dhe Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ), duke përfshirë përzgjedhjen e anëtarëve nga një grup i gjerë profesionistësh të trajnuar dhe certifikuar nga KQZ. Kjo synon të zvogëlojë ndikimin politik dhe të sigurojë një proces zgjedhor më të drejtë dhe të pavarur.

Ndërsa për votën me postë për emigrantët është propozuar një procedurë e re për të mundësuar votimin për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke kërkuar që fletëvotimi të mbërrijë në KQZ në ditën e votimit. Kjo synon të lejojë pjesëmarrjen e mëtejshme të diasporës shqiptare në procesin zgjedhor.

Dy ekspertët e PS-së propozuan edhe rritjen e transparencës së fondeve të partive politike. Ata kërkojnë një afat konkret për transferimin e fondeve nga buxheti i shtetit tek partitë politike, si dhe shtimi i financimit publik për kandidatët e pavarur. Kjo synon të zvogëlojë ndikimin e fondeve private dhe të sigurojë një fushatë më të barabartë dhe transparente.

Një tjetër propozim i zbuluar është edhe mospërdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës zgjedhore. PS-ja propozoi ndalimin e promovimit të veprimtarive publike gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, pavarësisht nga burimi i financimit.

Këto propozime shfaqin një angazhim për të përmirësuar procesin zgjedhor në Shqipëri duke adresuar sfidat kryesore të transparencës, integritetit dhe pavarësisë së institucioneve zgjedhore.