Vendosni fjalën kyçe....

Përfshihet nga flakët gjykata në Kosovë, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme


Gjykata Themelore në Kaçanik të Kosovës është përfshirë nga zjarri në orën 03:55 të së mërkurës.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se zjarri është lokalizuar dhe si pasojë e tij janë dëmtuar dy zyra të kësaj Gjykate.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar se lajmi për zjarrvënie në objektin e Gjykatës është njoftuar rreth orës 03:55.

“Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të zjarrfikësve të cilët rreth orës 04:40 kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin.

Si pasojë e këtij incidenti nga zjarri janë dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate” ka thënë Veseli.

Ai shtoi se hetimet intensive janë nisur nga organet kompetente, teksa dyshohet se zjarri është vënë nga tre të panjohur.

“Nga hetimet e para dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie nga 3 persona të panjohur, e që hetuesit policor janë duke grumbulluar informacione në terren në zbardhjen sa më shpejt të këtij rasti” shtoi Vesel, shkruan Indeksionline.