Presidenti rus Putin paralajmëroi Perëndimin të mërkurën se Rusia ishte teknikisht gati për luftë bërthamore dhe se nëse SHBA-ja do dërgonte trupa në Ukrainë, kjo do konsiderohej një përshkallëzim i rëndësishëm i luftës, shkruan Reuters.
Putin, duke folur vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 15-17 marsit, të cilat me siguri do i japin atij gjashtë vjet të tjera në pushtet, tha se skenari i luftës bërthamore nuk po “nxiton” dhe ai nuk e sheh nevojën për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë.
“Nga pikëpamja ushtarako-teknike, ne sigurisht jemi gati,” tha Putin, 71 vjeç, për televizionin Rossiya-1 dhe agjencinë e lajmeve RIA në përgjigje të një pyetjeje nëse vendi ishte vërtet gati për një luftë bërthamore.
Putin tha se SHBA-të e kuptojnë se nëse vendosin trupa amerikane në territorin rus ose në Ukrainë, Rusia do e trajtonte këtë veprim si një ndërhyrje.
“Në SHBA ka mjaft specialistë në fushën e marrëdhënieve ruso-amerikane dhe në fushën e kufizimit strategjik,” tha Putin.
“Prandaj, nuk mendoj se këtu gjithçka po nxiton drejt përplasjes bërthamore, por ne jemi gati për këtë.”
Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të thellë në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962 dhe Putin ka paralajmëruar disa herë se Perëndimi rrezikon të provokojë një luftë bërthamore nëse dërgon trupa për të luftuar në Ukrainë.
Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt 2022, duke shkaktuar luftë në shkallë të plotë pas tetë vjet konflikti në Ukrainën lindore midis forcave ukrainase nga njëra anë dhe ukrainasve pro-rusë dhe përfaqësuesve rusë nga ana tjetër.
Udhëheqësit perëndimorë kanë premtuar të mposhtin Rusinë në Ukrainë, por pas dy vitesh lufte, forcat ruse kontrollojnë rreth një të pestën e territorit ukrainas.