Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja 300 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën


Shtetet e Bashkuara do dërgojnë një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën me vlerë 300 milionë dollarë, tha të martën administrata e Presidentit Joe Biden, hapi i parë i tillë prej muajsh pasi fondet shtesë për Kievin mbeten të bllokuara nga udhëheqësit republikanë në Kongres.

Shtëpia e Bardhë po përpiqet të gjejë mënyra për të dërguar më shumë ndihmë ushtarake, duke pasur parasysh gjendjen në fushën e betejës dhe rezistencën ndaj financimit nga republikanët e vijës së ashpër.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se financimi vjen nga kursimet e paparashikuara të kostove nga kontratat e Pentagonit dhe do përdoret për predha artilerie dhe municione për sistemet raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS).

Paketa e re e armëve u raportua për herë të parë nga Reuters më herët të martën. Njoftimi erdhi ndërsa presidenti dhe kryeministri i Polonisë takuan Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë më vonë të martën për të biseduar rreth mënyrave për të forcuar mbështetjen për Ukrainën.