Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi është arrestuar me urdhër të SPAK, akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion pasiv.
SPAK nisi javët e fundit hetim ndaj Berberit, për çështjen e shitjes së një kompanie në vitin 2018, dhe dyshohet për transferim fiktiv me qëllim që të shmangte konfliktin e interesit, pasi do të emërohej si këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë në banesë, gjatë kontrollit, Berberit i janë gjetur një sasi e konsiderueshme parash cash.
Gjithashtu gjatë kontrolleve të ushtruara nga hetuesit e SPAK dhe të BKH-së, në banesën e Berberit u gjetën disa piktura me vlerë mijëra euro. Këto piktura janë konsideruar si ryshfet nga SPAK.
Gjatë kontrolleve në banesën e tij, Beberi ka pohuar se pikturat i kishte bërë vetë ai dhe se nuk ishin blerë. Agjentët e SPAK dhe BKH i sekuestruan dhe një sërë sendesh personale si celularë, laptop, USB, dhe dokumente.