Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një vizitë pune në Azerbajxhan, ku ka amrrë pjesë në “Global Baku Forum”, një takim i përvitshëm që mbledh udhëheqës dhe personalitete nga e gjithë bota.
“Fixing the Fractured World” ishte tema e “Global Baku Forum XI” për këtë vit, ku Begaj gjatë fjalës së tij theksoi domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit mes shteteve dhe qeverive për të përballuar me sukses sfidat aktuale.
“Në një botë ku ndasitë duket se sa vijnë e thellohen nga dita në ditë, tema e forumit tonë nuk mund të ishte më urgjente. Jetojmë në një epokë me sfida të pashembullta. Ndryshimet klimatike, paqëndrueshmëria politike, pabarazitë ekonomike, padrejtësitë sociale, dhe jo vetëm, janë çështje globale që nuk mund të trajtohen vetëm në nivel rajonal. Zgjidhja e tyre kërkon bashkëpunim”, deklaroi Presidenti i Republikës.
Në lidhje me rolin e Shqipërisë në rajon, Kreu i Shtetit rikonformoi orientimin euroatlantik dhe qëndrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve si faktor kyç për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
“Në këndvështrimin e Shqipërisë, si një aleate e palëkundur në NATO dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, pasojat e këtij konflikti dhe roli ynë në arkitekturën mbarë evropiane të sigurisë, janë thelbësore. Shqipëria, e gjendur në udhëkryqin e interesave të mëdha gjeopolitike, është mëse e vetëdijshme për rëndësinë e stabilitetit dhe bashkëpunimit. Rrugëtimi ynë drejt anëtarësimit në BE nuk është vetëm një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj vlerave demokratike, reformave ekonomike dhe shtetit të së drejtës, por, gjithashtu, një tregues i qartë i përkushtimit tonë për të kontribuar në mënyrë sa më të efektshme për sigurinë dhe prosperitetin e kontinentit evropian”, tha ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Begaj theksoi se stabilizimi i një bote të trazuar nga ndasitë nuk lidhet vetëm me adresimin e sfidave globale, por me humanizmin e të përbashkët, vlerat dhe të ardhmen.
“Së bashku, ne duhet të ndërtojmë ura bashkëpunimi, të nxisim zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe të promovojmë paqen dhe sigurinë. Udhëtimi ynë i përbashkët drejt shërimit fillon me hapat që ne ndërmarrim pikërisht sot” u shpreh ai
Gjatë qëndrimit në Baku, Presidenti Begaj, ka zhvilluar edhe disa takime bilaterale, me Presidentin e Azerbaxhanit, Ilham Aliyev dhe me kryeministrin Ali Asadov.
Begaj zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun Ilham Aliyev, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve, perspektivat, si dhe përforcimin e bashkëpunimit ekonomik me fokus tek energjia dhe turizmi.
Gjatë takimit me Presidentin e Azerbaxhanit, Aliyev, u vlerësuan zhvillimet pozitive mes dy vendeve, heqja e vizave për shtetasit e dy vendeve dhe krijimi i Komitetit të Përbashkët Shqipëri- Azerbaxhan në ekonomi, teknologji dhe industri. Gjithashtu në takim u theksua potenciali i Shqipërisë si nyje rajonale e shpërndarjes së gazit.